Një situatë e tensionuar është raportuar sot pranë objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku janë mbledhur mbështetës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pritje të zhvillimeve lidhur me ish-krerët e UÇK-së, raporton Gazeta Minuti
Sipas pamjeve të publikuara nga vendi i ngjarjes, policia holandeze u është drejtuar të pranishmëve duke u kërkuar që të largohen nga zona.
“I keni 2 minuta të largoheni nga Tribunali”, dëgjohet t’u thuhet mbështetësve nga policia.
Në zonën përreth Tribunalit janë parë forca të policisë holandeze, të cilat kanë kontrolluar dhe menaxhuar lëvizjen e personave të mbledhur aty. Pamjet tregojnë praninë e shtuar policore në afërsi të objektit.
Mbështetës të UÇK-së kanë udhëtuar drejt Hagës në ditët para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Vendimi për rastin pritet të shpallet më 16 shtator.
Zhvillimet në Hagë po përcillen me interes të madh në Kosovë dhe në mesin e familjarëve, veteranëve dhe mbështetësve të ish-krerëve të UÇK-së.