Rrahmani ka kundërshtuar përmbajtjen e projektligjit, duke ngritur shqetësime për të drejtën e fëmijëve që të njohin prindërit biologjikë, si dhe për dispozitat që, sipas tij, kanë të bëjnë me surrogacinë dhe sterilizimin.
Ai ka kritikuar Qeverinë për insistimin që projektligji të miratohet, duke pretenduar se shërbimet e fertilizimit të asistuar kanë filluar të ofrohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga viti 2024.
“Në mandatin e kaluar kemi kundërshtuar dhe penguar miratimin e projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim, megjithatë qeveria vazhdon ta trajtoj sjelljen e tij në kuvend me prioritet”, ka deklaruar Rrahmani.
Deputeti ka kërkuar sqarime për arsyet e angazhimit të Qeverisë për miratimin e këtij projektligji dhe për ndikimin që, sipas tij, dispozitat e propozuara mund të kenë në të drejtat e fëmijëve.
Kurti: Kjo qeveri ka bërë më shumë për nënat dhe familjet
Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti ka mbrojtur politikat e Qeverisë për mbështetjen e grave, nënave dhe fëmijëve, duke thënë se asnjë qeveri e pasluftës nuk ka bërë më shumë në këtë drejtim.
Ai ka përmendur mbështetjen financiare për lehonat dhe deklaroi se rreth 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë, si rezultat i masave të ndërmarra nga Qeveria.
“Nuk ka asnjë qeveri që mund të thoni se në Kosovën e pasluftës ka bërë më shumë për nënat dhe fëmijët, për familjet”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka kundërshtuar akuzat se politikat e tij janë kundër familjes, duke i cilësuar ato absurde.
“Tash të më quani mua kundër familjes, për mua është absurde. Nëse ju e synoni një kauzë politike është legjitime, por tema është e gabuar, duhet të jeni kreativ më shumë se aq sepse ka panumërt vende ku do të duhej të kritikoheshim, por jo tek familjet”, ka deklaruar ai.
Rrahmani kundërshton sërish, Kurti i përgjigjet për përfaqësimin e grave
Pas përgjigjes së kryeministrit, Rrahmani ka reaguar duke thënë se nuk kishte marrë përgjigje për shqetësimet e ngritura lidhur me projektligjin.
Ai ka përsëritur pretendimet se dispozitat e propozuara cenojnë të drejtën e fëmijëve për të njohur prindërit biologjikë dhe se parashohin mundësi për surrogaci dhe sterilizim në mosha të reja.
Kurti i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke e ftuar deputetin që të njihet me rastet konkrete dhe të bisedojë me personat që preken nga çështjet e fertilizimit të asistuar.
“Pretendimet kundër nesh për këtë çështje nuk janë të vërteta. Shikoni rastet konkrete dhe bashkëbisedoni me ta, ndoshta ka ardhur koha me i dhënë fund ankesave tuaja në emër të grave të Kosovës, nuk e di se a i përfaqësoni, mendja ma merr që jo”, ka thënë Kurti.
Ndërhyn Albulena Haxhiu, ia ndërpret fjalën Rrahmanit
Në debat ka ndërhyrë edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka kritikuar mënyrën se si deputeti Rrahmani po i trajtonte çështjet që lidhen me gratë dhe vajzat.
Haxhiu e ka akuzuar atë për manipulim, veçanërisht lidhur me deklaratat për sterilizimin e vajzave nga mosha 18-vjeçare.
“Nëse ju i trajtoni gratë edhe vajzat e vendit si pronë, si objekt, nuk lejoj qasje të tillë në Kuvendin e Kosovës. Manipulimi qe ti e bën po ashtu në Kuvend është shqetësues”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka kundërshtuar vazhdimin e debatit në atë mënyrë dhe ka njoftuar se Rrahmani nuk do ta marrë më fjalën.
“Me këtë qasje nuk mund të vazhdosh. Dhe si rrjedhojë, nuk e merr fjalën”, ka thënë kryetarja e Kuvendit.
Debati ka nxjerrë në pah qëndrimet e kundërta të kryeministrit dhe deputetit lidhur me projektligjin, përmbajtja dhe dispozitat e të cilit vazhdojnë të jenë objekt kundërshtimesh politike në Kuvend.