Shqipëria dhe Mali i Zi i janë bashkuar nismës amerikane “Trump Peace Pipelines Framework”, një kuadër bashkëpunimi që synon zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe forcimin e sigurisë së furnizimit në Evropën Qendrore dhe Lindore, përmes zgjerimit të eksporteve amerikane të gazit.
Nënshkrimi u zhvillua në Varshavë, në kuadër të Partneritetit për Bashkëpunimin Transatlantik në Energji (P-TEC), ku përfaqësues të qeverive dhe sektorit energjetik diskutuan investimet dhe projektet strategjike për rajonin.
Ambasadorja amerikane në Kroaci, Nicole McGraw, përshëndeti përfshirjen e dy vendeve përmes një postimi në platformën X.
“Mirë se vini në bord, Shqipëri dhe Mali i Zi! Është kënaqësi të shohësh të dy vendet duke nënshkruar këtu në Varshavë kuadrin Trump Peace Pipelines, duke i dhënë shtysë eksporteve amerikane të energjisë, më shumë mundësive të furnizimit dhe investimeve të reja në rajon”, shkroi McGraw.
Nisma u prezantua në prill në Dubrovnik, në prani të sekretarit amerikan të Energjisë, Chris Wright, si pjesë e përpjekjeve të Washingtonit për të rritur kapacitetet evropiane të importit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe për të zhvilluar lidhje të reja infrastrukturore ndërmjet vendeve të rajonit.
Për Shqipërinë, ky angazhim vjen në një kohë kur vendi po shqyrton zgjerimin e përdorimit të gazit natyror, përfshirë ndërtimin e një terminali LNG në Vlorë dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë.
Në prill, autoritetet shqiptare nënshkruan një marrëveshje kuadër 20-vjeçare për blerjen e gazit amerikan, me një vlerë të raportuar prej të paktën 6 miliardë dollarësh, si dhe një memorandum për zhvillimin e centralit të Vlorës.
Megjithatë, realizimi i këtyre projekteve mbetet i kushtëzuar nga sfida infrastrukturore dhe financiare. Edhe pse gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) kalon nëpër territorin shqiptar, vendi nuk ka ende një pikë daljeje funksionale për furnizimin e tregut vendas me gaz.
Ndërkohë, Mali i Zi synon ta shfrytëzojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara për zhvillimin e rrjeteve të gazit dhe energjisë elektrike, përfshirë Gazsjellësin Adriatiko-Jonian (IAP), një projekt i rëndësishëm për ndërlidhjen rajonale.
Sipas Ministrisë malazeze të Energjisë dhe Minierave, memorandumi i nënshkruar në Varshavë hap mundësi për diversifikimin e burimeve të furnizimit, lidhjen më të mirë të tregjeve energjetike dhe tërheqjen e investimeve.
Por orientimi drejt gazit natyror ngre edhe pyetje mbi përputhshmërinë e investimeve të reja me objektivat afatgjata të dekarbonizimit.
Në një analizë të publikuar në qershor, organizata mjedisore Bankwatch paralajmëroi se zgjerimi i infrastrukturës së gazit në Ballkanin Perëndimor mund të rrisë varësinë nga importet dhe të krijojë rrezikun e investimeve që humbasin vlerën ekonomike përpara përfundimit të jetëgjatësisë së tyre.
Organizata vëren se Shqipëria dhe Mali i Zi nuk kanë ende lidhje funksionale me rrjetet ndërkombëtare të furnizimit me gaz, ndaj kërkon vlerësim të kujdesshëm të kostove dhe kërkesës reale përpara realizimit të projekteve të mëdha.
Administrata amerikane, nga ana tjetër, e sheh zgjerimin e furnizimeve me LNG si një instrument për të diversifikuar burimet energjetike të Evropës dhe për të zvogëluar varësinë nga furnizues të veçantë.
Përfshirja e Shqipërisë dhe Malit të Zi në nismën e Trump shënon një tjetër hap në afrimin energjetik të Ballkanit Perëndimor me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, ndikimi ekonomik i këtij bashkëpunimi do të përcaktohet nga projektet konkrete që do të realizohen, burimet e financimit dhe aftësia e tyre për t’u integruar në tregjet energjetike evropiane.