E turpshme! Ja pse gjyqtari vendosi për dy muaj paraburgim për Veselin e Krasniqin

Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, ka raportuar se, vetëm një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, gjyqtari Charles Smith ka vendosur vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.

 

Sipas Mujkut, vendimi për vazhdimin e paraburgimit është marrë për një periudhë prej dy muajsh.

“Sikurse e kemi paralajmëruar për shkak të afateve, konfirmojmë lajmin e fundit se vetëm një ditë para shpalljes së aktgjykimit nga trupi gjykues për Thaçin e të tjerët, Charles Smith ka vendosur që t’ua vazhdojë edhe dy muaj paraburgimin Veselit dhe Krasniqit, duke qenë se vendimi i fundit për këtë rast ishte marrë më 15 korrik dhe sot ishte afati i fundit që të merrej një vendim i radhës”, ka raportuar Mujku nga Haga, transmeton Klankosova.tv.

 

Kujtojmë se më 10 gusht, është marrë vendimi që Thaçi të mbetet në paraburgim.

Në të njëjtin vendim, kryegjyqtari Charles Smith kishte urdhëruar që palët të mos paraqesin më parashtresa lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të masës së paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, i cili, sipas afateve, do të duhej të zhvillohej më 9 tetor 2026

Trupi Gjykues ka vlerësuar se një shqyrtim i tillë nuk ishte i nevojshëm, duke pasur parasysh se aktgjykimi ishte caktuar të shpallet më 16 shtator.

Paraburgimi i është vazhduar edhe Selimit, në fund të korrikut. Paneli i gjykatës kishte bërë të ditur se rishikimi i ardhshëm është caktuar në parim për 28 shtator.