Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një infermiere e shërbimit të Psikiatrisë dëgjohet duke përdorur gjuhë fyese dhe të papërshtatshme ndaj një pacienteje.
Pamjet, të publikuara nga JOQ Albania, kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, pasi në video dëgjohet infermierja duke iu drejtuar pacientes me fjalë ofenduese dhe denigruese gjatë qëndrimit të saj në repart.
Pas përhapjes së videos, QSUT njoftoi se ka kryer verifikimet e para dhe ka identifikuar punonjësen e përfshirë në incident.
Në reagimin zyrtar, institucioni bëri të ditur se janë iniciuar menjëherë procedurat për marrjen e masave administrative dhe disiplinore ndaj infermieres, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“QSUT ka ndjekur me shqetësim videon e publikuar në mediat online, ku shfaqet një rast i papranueshëm i cenimit të etikës profesionale në një prej shërbimeve mjekësore. Menjëherë pas verifikimeve të kryera, është identifikuar punonjësja e përfshirë dhe janë nisur procedurat për marrjen e masave administrative dhe disiplinore, në përputhje me legjislacionin në fuqi,” thuhet në reagimin e QSUT-së.
Më tej, Qendra Spitalore Universitare thekson se mbetet e përkushtuar për garantimin e një shërbimi shëndetësor profesional, etik dhe dinjitoz për çdo pacient.
Institucioni nënvizon se çdo sjellje që cenon dinjitetin e pacientëve ose shkel Kodin e Etikës nuk do të tolerohet dhe do të trajtohet sipas procedurave ligjore dhe disiplinore.
Publikimi i videos ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e respektimit të etikës profesionale në institucionet shëndetësore dhe mënyrës së trajtimit të pacientëve, veçanërisht atyre që ndodhen në gjendje të ndjeshme shëndetësore.
QSUT nuk ka bërë të ditur ende se çfarë mase disiplinore do të merret ndaj punonjëses, ndërsa procedurat administrative janë në zhvillim.