Senatori amerikan dridh vendin, sapo ia zbuloi kete qe i tha Albin Kurti

Senatori amerikan, Dick Durbin, ka thënë se propozimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që kampi Bondsteel të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane, “duhet të shqyrtohet seriozisht”.

 

Ai tha se Qeveria e Kosovës “ka propozuar një marrëveshje financiare” për këtë çështje dhe se ajo nuk do të përbënte ndonjë “sakrificë të madhe parash”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Pentagonit dhe Qeverisë së Kosovës për detaje nga ky propozim, nuk ka marrë ende përgjigje.

 

Gjatë intervistës së dhënë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Durbin tregoi se gjatë takimit më 12 tetor me Kurtin në Prishtinë, kryeministri i kishte shoqëruar senatorët në zyrën e tij dhe u kishte treguar një hartë të Kosovës, për t’ua paraqitur rreziqet e sigurisë në afërsi të saj.

“Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe në paqe, dhe mendoj se prania e KFOR-it këtu e ka kryer mirë këtë detyrë”, tha ai.

Kampi Bondsteel, që ndodhet pranë Ferizajt, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan. Kurti e ka përsëritur disa herë propozimin që ky kamp të bëhet bazë e përhershme amerikane, duke e lidhur atë me paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon.

Në fund të shtatorit, edhe Polonia i ofroi SHBA-së stimuj financiarë për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake, përfshirë 15.000 dollarë në vit për secilin ushtar amerikan të stacionuar në vend dhe mbulimin e kostove të infrastrukturës.

Senatorët demokratë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, po qëndrojnë në Kosovë – ku u takuan me presidenten Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të Listës Serbe – gjatë një vizite në Ballkanin Perëndimor.

Vizita pasoi ndalesat e tyre në Sarajevë dhe Tiranë, ku diskutuan për sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet e SHBA-së me vendet e rajonit.

Duke folur për presidenten e re të Kosovës, senatori Durbin tha se ajo ka përpara detyrën e vështirë “për ta bashkuar vendin dhe për ta çuar atë përpara”.

“Procesi që ajo përballoi para se të merrej vendimi përfundimtar kërkoi vendosmëri dhe guxim. Ajo ka një detyrë të madhe për ta bashkuar vendin dhe për ta çuar atë përpara. Por mendoj se forca që tregoi gjatë këtij procesi do t’i japë asaj më shumë besueshmëri në Kosovë dhe në mbarë botën”, tha ai.

Marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Gjatë intervistës, senatorët folën edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, përfshirë mungesën e një ambasadori amerikan në Prishtinë dhe pezullimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve.

Shaheen tha se do të ishte shumë mirë që Dialogu Strategjik të rifillonte, por përmendi si sfida ndryshimet në administratën amerikane dhe në Departamentin e Shtetit.

Ajo tha se senatorët kanë ushtruar trysni ndaj administratës amerikane që të emërojë më shumë ambasadorë dhe të sigurojë përfaqësim diplomatik në terren.

SHBA-ja e pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën më 12 shtator 2025. Në atë kohë, Uashingtoni shprehu shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ato kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësinë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.

Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Shaheen dhe Durbin u takuan edhe me përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Sipas një komunikate të kësaj partie, kryetari Zlatan Elek dhe shefi i grupit parlamentar, Igor Simiq, u shprehën senatorëve shqetësimet e tyre për të drejtat dhe sigurinë e serbëve në Kosovë.

Ata theksuan, ndër të tjera, moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, veçanërisht për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe përfaqësimin e serbëve në institucione.

Ndërsa, një ditë më parë, Kurti u kishte kërkuar, ndër të tjera, senatorëve mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Gjatë intervistës për RTK-në, senatorët shprehën mbështetje për vazhdimin e partneritetit të sigurisë me Kosovën dhe për aspiratat e saj euroatlantike.

E pyetur për mundësinë që Kosova një ditë të bëhet anëtare e NATO-s, Shaheen tha se shpreson që vendi të përparojë drejt këtij synimi.

Të dy senatorët e përshkruan marrëdhënien mes Kosovës dhe SHBA-së si partneritet të fortë dhe thanë se duan që ai të vazhdojë e të thellohet.

Dhomat e Specializuara

Të pyetur për ndryshimet ligjore që Kuvendi i Kosovës i miratoi lidhur me Dhomat e Specializuara në Hagë, senatorët shmangën komentet konkrete për amendamentet.

Shaheen përmendi mundësinë e apelimit ndaj vendimit dhe tha se shpreson që procesi të vazhdojë në mënyrë paqësore, me një rezultat që qytetarët e Kosovës mund ta kuptojnë.

Durbin u pajtua se duhet të jenë të kujdesshëm kur komentojnë çështje të gjykatave. Ai tha se zgjidhja duhet të vijë përmes mekanizmave të përcaktuar me ligj dhe në mënyrë paqësore.

Kuvendi i Kosovës i miratoi ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara më 8 tetor. Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për këtë veprim, duke e lidhur atë me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.