Hykmete Bajrami ka reaguar në mbrojtje të fjalës së lirë, mes zhvillimeve të fundit ndërmjet ish-deputetit Gani Geci dhe gazetarit Lirim Mehmetaj.
“Fjala e lirë nuk negociohet!”, ka shkruar Bajrami në postimin e saj.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ndalimin e Gecit për 48 orë, nën dyshimin për kanosje.Sipas Prokurorisë, dyshimet lidhen me kanosjen e Mehmetajt për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
Mehmetaj deklaroi në emisionin “Debat Plus” se anëtarë të familjes Geci i kishin kërkuar ta fshinte ose ndryshonte një postim.
Postimi ishte kritik ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Fatos Geci.Sipas gazetarit, pas refuzimit të tij kishte pasur kërcënime. Mehmetaj bëri të ditur se rastin e kishte raportuar në Policinë e Kosovës.
Geci kishte pretenduar paraprakisht se familjet ishin pajtuar që Mehmetaj dhe anëtarët e familjes Geci të mos merreshin me njëri-tjetrin publikisht.Familja Geci, nga ana tjetër, kishte deklaruar se ish-deputeti ishte paraqitur vullnetarisht në polici për të dhënë deklaratë.
Prokuroria ka njoftuar se në këtë rast janë intervistuar Mehmetaj, në cilësinë e të dëmtuarit, dhe Geci, në cilësinë e të dyshuarit.
Prokurori autorizoi policinë të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave të rastit.