Një shqiptar që luan në një film serb, aktori Klodian Hoxha zbulon prapaskenat

Aktori shqiptar Klodian Hoxha, do të jetë pjesë e kastit në një serial serb i cili do të transmetohet në televizionin publik serb.

 

Klodian Hoxha, ishte i ftuar në emisionin “Në Shtëpinë Tonë” në Top Channel, ku zbuloi më tepër në lidhje me prapaskenat se si u bë pjesë e këtij projekti. Ai foli edhe për rolin e tij si bosi: “Një agjenti më shërbeu për të kaluar kufijtë. Unë kisha bërë një audicion për një rol tjetër, por ishte serbisht dhe në fillim e refuzova, i thash që nuk e bëj dot. Më pas më çoi një rol tjetër ku flitej shqip, anglisht dhe gjermanisht. Unë luaj rolin e një bosi, që jetoj në Beograt”, u shpreh aktori Hoxha pa dashur të zbulojë më shumë detaje.

 

Gjithashtu ai tregoi se së shpejti do të vijë me një projekt të madh të vetin ku do të jetë pjesë e festivalit të Kanës. “Po mundohemi të bëjmë diçka tonën, nga ana e produksionit. Është diçka shumë interesante. Kemi dëshirë të bëjmë një film shqiptar ku do të jem edhe pjesë e produksionit”, tha ndër të tjera Hoxha.

Klodian Hoxha është një nga aktorët shqiptarë që ka ndërtuar karrierë si në teatër, ashtu edhe në kinemanë shqiptare dhe ndërkombëtare. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe veten thotë se e sheh së shpejti dhe si producent filmash.