Tronditëse| Ngjarje tragjike më të vdekur në Prizren

Në rajonin e Prizrenit sot janë regjistruar dy raste të personave të cilët janë gjetur pa shenja jete.

 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit Shaqir Bytyqi ka thënë për Indeksonline se të dy rastet, dyshohet të jenë vetëvrasje.

“Sot, më datë 05.07.2026, në rajonin e Prizrenit janë raportuar dy raste të personave të gjetur pa shenja jete, për të cilat janë iniciuar hetime”, ka thënë Bytyqi.

 

Rasti i parë është raportuar rreth orës 15:40, kur është pranuar informata se në rrugën “Turgut Özal” në Prizren, në banesën e saj, ndodhej një person pa shenja jete. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ekipi i Emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Bytyqi ka thënë se sipas informacioneve fillestare, viktima është femër, rreth 54 vjeçe dhe se bazuar në rrethanat e evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje.

Rasti i dytë është raportuar rreth orës 17:50, kur nga një zyrtar policor është pranuar informata se në një zonë pyjore në fshatin Restelicë, komuna e Dragashit, është gjetur një person pa shenja jete. Patrulla policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës.

“Sipas informacioneve fillestare, viktima është mashkull, rreth 68 vjeç. Bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje. Për të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, me autorizimin e të cilit kanë filluar veprimet hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Të dy rastet janë iniciuar dhe po hetohen si “Hetim i vdekjes””, ka thënë Bytyqi