Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar datën 16 shtator 2026, në orën 10:00, për shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas njoftimit të gjykatës, data është caktuar duke marrë parasysh vëllimin e madh të provave dhe kompleksitetin e procesit gjyqësor, i cili kërkon një shqyrtim të plotë dhe të arsyetuar para marrjes së vendimit përfundimtar.
Lidhur me shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit, juristi Blerim Bujrani vlerëson se vendimi lidhet me sasinë e madhe të materialeve dhe provave të administruara gjatë procesit, si dhe me nevojën që gjykata të sigurojë një vendimmarrje sa më të qëndrueshme.
“Gjykata mund ta bëjë këtë shtyrje bazuar në vëllimin e materialeve, dëshmive dhe provave të paraqitura. Synimi është që vendimi të merret me një siguri më të madhe juridike,” është shprehur ai.
Bujrani thekson se gjykata ka detyrim të vendosë brenda një afati të arsyeshëm procedural, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke shtuar se zvarritja e procedurave nuk duhet të cenojë të drejtat themelore të të akuzuarve.
Sipas tij, paraburgimi i gjatë ka ndikuar negativisht në perceptimin për besueshmërinë e drejtësisë.
“Paraburgimi i gjatë e rrënon kredibilitetin e gjyqësisë në përgjithësi. Mendoj se aktgjykimi është dashur të shpallej më herët, në mënyrë që procedurat e tjera të vazhdonin normalisht. Shpresoj që vendimi të jetë lirues, pa krijuar nevojë për konteste të mëtejshme procedurale”, deklaroi Bujrani për gazetën “Bota Sot”.