Kjo eshte shtepia qe Arlinda e ndertoi, dalin detaje dritheruese

Në Vitomiricë të Pejës, Arlinda Zekaj kishte ndërtuar një shtëpi, ku, sipas Dosjes së Prokurorisë, për të, burri i saj e kishte detyruar të merrte 9 mijë euro kredi.

 

Gruaja që luftoi deri në frymën e fundit për të drejtën e saj që ta kishte fëmijën dhe pronën që i takonte, u vra me sopatë nga kunati mu në atë shtëpi.

Historia e saj është drithëruese, sidomos pas shkrimeve të publikuara në media, ku kishte dorëshkruar me saktësi vrasjen e saj. Ai shkrim, fatkeqësisht, është një paralajmërim ogurzi edhe për të gjitha gratë që përjetojnë dhunë në Kosovë, se çka i pret.

 

Që i kërkojnë ndihmë shtetit;

Që ia japin të gjitha provat e dhunës që po ushtrohen ndaj teje shtetit;

Që e paralajmërojnë shtetin me një shkrim që përmban ngarkesën e një dhune sistematike të ushtruar ndaj teje, bashkë me neglizhencën që ofshan brenda rreshtash, dhe shteti nuk të del në ndihmë.

Shteti të thotë: kthehu në shtëpi, se e kemi marrë një masë: njerëzit ose vrasësit potencialë në atë shtëpi nuk mund të të afrohen dy metra. Në vendet skandinave, ani, nuk e di a funksionon një masë e tillë, e jo më në Kosovë, ku jeta zhvillohet me krejt mendësinë dhe traditën e saj patriarkale.

Ku grave që kanë fëmijë, çika, u kërkohet një djalë – patjetër. Sepse arat dhe djerrinat nuk mund t’u lihen si trashëgimi çikave.

Ku shteti mban forume, tryeza e konferenca, ku flet pikërisht kundër kësaj mendësie dhe s’arrin t’ia vërë një byzylyk alarmi në dorë vrasësit që e mban sopatën lart, që, kur flet një grua, ta vrasë.

Sipas informacioneve të publikuara në media për rastin deri tash, Arlinda Zekaj e kishte njoftuar dhunën fizike dhe psikike ndaj saj shumë moti. Edhe para vitit 2025. Duke qenë se kishte jetuar në Amerikë 11 vjet me burrin e saj, raportimet thonë se edhe Ambasada Amerikane ishte në dijeni për rastin e dhunës.

Pavarësisht krejt këtyre informacioneve e provave, shteti i Kosovës e dorëzoi Arlindën në duart që mbanin sopatën për ta vrarë.

Pse rasti i Arlindës ngjalli kaq shumë reagime?

Le të flasim hapur.

Sepse ajo shpërfaq me letra përpjekjen që kishte bërë deri në fund të jetës së saj për të drejtën e saj. Cilën të drejtë? Të drejtën për të jetuar.

Pra, shteti i Kosovës ia mohoi të drejtën për të jetuar.

Shumë nga ne i pamë letrat e saj si dorëshkrime të forta, që na e shfaqën një grua të fortë, e cila luftoi deri në fund të jetës së saj për jetën e saj, dhe ato na lanë pa fjalë.

Ato shkrime nuk i lexuam veç si shkrime, por si një bërtimë që kërkonte drejtësi, të shkruara në formën më të mirë nga një grua e vetëdijshme për të drejtën e saj që po e kërkonte, por s’kishte ku ta merrte.

Edhe sa gra përjetojnë dhunë – tani, në këtë moment – nëpër Kosovë dhe, kur shohin ose lexojnë ato letra si testament i Arlindës, shkurajohen për një fakt: nëse kësaj gruaje të fortë, që pati kurajon të lypte mbrojtje e drejtësi në formën që i kushtoi me jetë, shteti nuk ia dha atë, por e çoi në duart e vrasësit, sa prej tyre do t’i drejtohen sot këtij shteti?

Rasti i Arlinda Zekajt na tregoi që rruga përpara është shumë e gjatë dhe veprimet deri sot, që fatkeqësisht as kujt t’i drejtohemi.

Sa për seancën e gërditshme në Kuvendin e Kosovës, as s’dua të shkruaj.

Ky shtet ia dorëzoi jetën e një gruaje një njeriu që kishte në shtëpi 153 fishekë. Ajo grua u kishte treguar, por shteti na tregoi numrin e fishekëve veç pasi u vra.

Shteti ia rrënoi shtëpinë Arlinda Zekajt, që, sipas dosjes, e kishte ndërtuar me mundim, ia rrënoi jetën djalit të saj të vogël dhe, krejt në fund, as s’po jep llogari për vrasjen e saj, që Arlinda “uroi të mos ndodhte”.