Një grup delegatësh të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka nisur që nga dita e mërkurë mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, ku synohet të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Sipas informacioneve, për thirrjen e kësaj mbledhjeje nevojiten nënshkrimet e një të tretës së delegatëve të Kuvendit të LDK-së. Më pas, kërkesa për shkarkimin e kryetarit mund të hidhet në votim. Megjithatë, deri më tani nuk janë siguruar 118 nënshkrimet e nevojshme nga gjithsej 355 delegatë.
Burimet bëjnë të ditur se nisma vjen si pasojë e pakënaqësive të krijuara pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Gjatë javës së kaluar, degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega II në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke e lidhur këtë kërkesë me rezultatin e dobët zgjedhor. Thirrjes iu bashkua edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Nga ana tjetër, Abdixhiku kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, si dhe të kryetarit të Degës në Lipjan, Imri Ahmeti, duke argumentuar se këto degë kishin shënuar rezultate të dobëta në zgjedhje.
Po ashtu, kreu i LDK-së ka deklaruar se Kuvendi i rregullt i partisë do të mbahet në vitin 2027.
Kujtojmë se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Abdixhiku kishte ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të LDK-së, por më 31 janar Kuvendi i partisë e kishte refuzuar atë.