Deputeti i VV-së, Fatos Geci: Kërkoj falje

Deputeti Fatos Geci ka reaguar publikisht duke kërkuar falje për gjuhën e përdorur në deklaratat e tij të fundit, të cilat kishin nxitur reagime dhe debat në opinionin publik.

 

Përmes një deklarate, Geci ka theksuar se i vjen keq nëse fjalët e tij janë keqinterpretuar apo kanë lënduar ndjenjat e qytetarëve, duke nënvizuar se nuk ka pasur për qëllim të ofendojë askënd.

Ai ka sqaruar gjithashtu qëndrimet e tij, duke thënë se deklarimet e mëparshme janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe se pozicioni i tij mbetet i pandryshuar në raport me çështjet për të cilat ka folur.

Në fund, Geci ka riafirmuar respektin e tij të plotë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga vlerat më të rëndësishme të historisë së vendit.

“Shpreh keqardhje për gjuhën e përdorur, sqaroj qëndrimet e mia dhe riafirmoj respektin tim të palëkundur për UÇK-në”, thuhet në reagimin e tij.

SQARIM
Dua të shpreh keqardhjen time të sinqertë për mënyrën se si jam shprehur ndaj një deputeteje në Kuvend të Republikës së Kosovës. Shprehjet e përdorura nuk pasqyrojnë nivelin e komunikimit që përfaqësoj e besoj! Shpreh keqardhje që nuk arrita ta ruaj maturinë dhe ula nivelin e komunikimit në të sajin, i ndikuar nga provokimet dhe ofendimet që m’u bënë.

Gjithashtu, dua të jem shumë i qartë në qëndrimet e mia të palëkundura ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë kam respekt dhe mirënjohje të thellë për UÇK-në, kontributi i saj është i pakrahasueshëm dhe i përjetshëm. Me respekt dhe nderim i kujtoj të gjithë ata që kanë rënë, por mbeten të gjallë në kujtesën dhe zemrën time.

Megjithatë, kjo nuk nënkupton që mund të mbështes individë të caktuar që, në rrethana të caktuara, kanë qenë të përfshirë në veprime që kanë prekur dhe rrezikuar drejtpërdrejt familjen time. Ata që kan vetëm pak njohuri per Komunikatën 59, i kuptojnë qëndrimet e mia. Nuk mund ta harroj frikën dhe pasigurinë për të dalë i qetë nga shtëpia dhe për t’u kthyer sërish i sigurt, duke i gjetur të gjallë prindërit dhe familjen time të madhe.

Këto përvoja janë të thella dhe më bëjnë që, përtej respektit të përgjithshëm për luftën e pastër të UÇK-së dhe vlera të larta, të kem qëndrime të rezervuara ndaj individëve të caktuar. Këto përjetime formësojnë qëndrimet e mia.

I Juaji,
Fatos Geci