Tensione janë shënuar para Gjykatës Speciale në Hagë, pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Sipas raportimeve të mediave nga Haga, policia ka ndërhyrë pranë hyrjes së objektit të Dhomave të Specializuara, duke larguar dhe shoqëruar përkohësisht djalin e Hashim Thaçit, Endrit Thaçin.
Policia ka kërkuar që të mos krijohen tensione pranë objektit të gjykatës, në një kohë kur aty janë mbledhur familjarë, mbështetës dhe qytetarë që kanë udhëtuar për të ndjekur nga afër shpalljen e vendimit.
Endrit Thaçi kishte mbërritur më herët në Gjykatën Speciale dhe para hyrjes kishte deklaruar se pret që vendimi të jetë në favor të të gjithë të akuzuarve. Ai tha se për më shumë detaje do të flasë pas përfundimit të shpalljes së aktgjykimit.
Shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po përcillet me interesim të madh, ndërsa situata pranë gjykatës është nën masa të shtuara të sigurisë.