Një përplasje brenda strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Obiliq ka dalë në pah përmes një shkrese zyrtare, të cilën e ka siguruar “Front Online”.
Nënkryetari i Degës së LDK-së në Obiliq, Ibush Mjekiqi i është drejtuar kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku duke kundërshtuar emërimin e një koordinatori për degën në Obiliq, pa konsultim me strukturat lokale të partisë.
Në shkresën e datës 18 nëntor 2026, Mjekiqi bën të ditur se Dega e LDK-së në Obiliq ka pranuar një autorizim nga sekretari i përgjithshëm i partisë, Ilir Ferati përmes të cilit është caktuar një koordinator për këtë degë.
Sipas tij, ky vendim është marrë në mënyrë të njëanshme pa konsultim paraprak me kryesinë e degës.
“Përmes këtij dokumenti, pa konsultim paraprak me Kryesinë e Degës, nënkryetarët, anëtarët e Kryesisë, kryetarët e nëndegëve dhe asamblistët besnikë të LDK-së, është caktuar një koordinator për Degën e LDK-së në Obiliq”, thuhet në shkresën e siguruar nga “Front Online”.
Mjekiqi thekson se pas dorëheqjes së ish-kryetarit, Xhafer Gashi, përgjegjësitë e degës janë vazhduar të ushtrohen nga nënkryetari, në përputhje me statutin e partisë.
“Këtë e kemi bërë si shprehje të vullnetit politik dhe institucional, me qëllim të garantimit të vazhdimësisë së punës së kësaj Kryesie, e cila ka dalë nga Kuvendi i rregullt zgjedhor”, thuhet në dokument.
Ai kërkon nga Abdixhiku dhe sekretari i përgjithshëm, Ilir Ferati që nëse Kryesia Qendrore ka marrë vendim për pezullimin e punës së degës, t’ua vënë në dispozicion vendimin përkatës së bashku me bazën statutare dhe arsyetimin.
“Çdo ndërhyrje në funksionimin e organeve të Degës duhet të ketë bazë statutare dhe të bëhet përmes procedurave përkatëse, e jo përmes vendimeve individuale dhe të njëanshme”, thekson ai.
Mjekiqi paralajmëron se një veprim i tillë mund të dëmtojë strukturat e partisë në Obiliq dhe të largojë anëtarësinë.
“Një veprim i tillë jo vetëm që e dëmton LDK-në në Obiliq, por cenon edhe besimin e anëtarësisë, largon njerëzit që i kanë qëndruar besnikë kësaj partie dhe krijon pakënaqësi të panevojshme, përçarje dhe rrezik për largimin e anëtarëve dhe të strukturave të Degës”, thuhet në shkresë.