Detaje të reja janë bërë publike nga seanca me dyer të mbyllura ku gjykata vendosi masën “arrest shtëpie” për këngëtarin Jozefin Marku dhe Kristjan Nikollin, pas ngjarjes me Eduard Kuçin.
Sipas raportimit të publikuar nga “Bling Magazine”, Marku është mbrojtur gjatë dëshmisë së tij duke deklaruar se veprimi i tij ka ardhur në gjaknxehtësi, ndërsa ka pretenduar se Kuçi e kishte sharë familjen.
“Kërkoj ndjesë për veprimin. E kam kryer në gjaknxehtësi e sipër. Nuk e njihja më parë Eduard Kuçin. E kam njohur në rrjetet sociale, ku më ka sharë familjen”, mësohet të ketë deklaruar Marku.
Ai ka pranuar gjithashtu se e ka goditur Kuçin, duke pretenduar se ka qenë vetëm një herë.
“E kam goditur vetëm një herë me shpullë, duke i thënë të më kërkojë falje që më ka sharë familjen”, mësohet të jetë shprehur Jozefin Marku.
Nga ana tjetër, Kristjan Nikolli ka mohuar të ketë qenë i pranishëm në vendin ku ka ndodhur ngjarja.
Sipas deklarimit të tij, atë natë ai kishte qenë në një dasmë dhe nuk e kishte të qartë përse Jozefin Marku dhe personat e tjerë ndodheshin në shtëpinë e tij.
“Unë atë natë që ka ndodhur ngjarja kam qenë në një dasmë, nuk kam qenë prezent në vendngjarje. Unë Jozin e kam mik, këtë e dini të gjithë. Fishekët që keni gjetur në shtëpinë time ishin të ndryshkur, nuk e di përse ishin aty”, mësohet të ketë deklaruar Nikolli.
Gjykata e Tiranës vendosi më herët masën “arrest shtëpie” për Markun dhe Nikollin, pavarësisht se Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg”.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë rrethanat dhe rolin e personave të përfshirë.