Prokurorja Kimberly West kundërshton lirimin e përkohshëm të Hashim Thaçit

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për lirim të përkohshëm nga paraburgimi në Hagë, duke vlerësuar se nuk kanë ndryshuar rrethanat që do të arsyetonin një vendim të tillë.

 

Në parashtresën e dorëzuar në Dhomat e Specializuara, kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar që Thaçi të vazhdojë të mbahet në paraburgim deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Sipas saj, zhvillimi i deritanishëm i procesit gjyqësor dhe afatet e ardhshme procedurale përbëjnë një tjetër arsye që masa e paraburgimit të mbetet në fuqi.

 

“Përparimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i këtij procesi gjyqësor, përfshirë afatin kohor për çdo mocion përfundimtar lidhur me provat, gjithashtu mbështet vazhdimin e paraburgimit të Thaçit,” thuhet në shkresën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në dokument, Prokuroria argumenton gjithashtu se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që, në rast lirimi, Thaçi mund të ndikojë në procedurat gjyqësore ose të kryejë vepra të tjera penale, duke iu referuar vlerësimeve të mëparshme të gjykatës.

“Konstatimet e vazhdueshme mbi ekzistencën e rreziqeve sipas nenit 41(6)(b) që i atribuohen Thaçit në këtë çështje mbeten të vlefshme. Ato janë bërë mbi bazën e një numri të madh faktorësh të arsyetuar dhe të individualizuar, dhe asnjë kusht i mundshëm për lirimin e tij nuk mund t’i zbusë ato në mënyrë të mjaftueshme,” thuhet në dokumentin e ZPS-së.

Mbrojtja e ish-presidentit kishte kërkuar lirimin e përkohshëm, duke argumentuar se kushtet ligjore për një masë të tillë janë përmbushur. Megjithatë, Prokuroria vlerëson se arsyet që çuan në caktimin dhe vazhdimin e paraburgimit mbeten ende të pranishme.

Tashmë pritet që Dhomat e Specializuara të shqyrtojnë argumentet e të dyja palëve dhe të marrin vendim lidhur me kërkesën e mbrojtjes për lirimin e përkohshëm të Hashim Thaçit nga paraburgimi në Hagë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE