‘Trupat e shqiptarëve të vrarë’, vjen reagimi i ashper kunder Daçiqit nga Kandiqi

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, i ka reaguar Ivica Daçiqit, kryetarit të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), parti e themeluar dhe e drejtuar fillimisht nga Slobodan Millosheviçi, duke e lidhur politikën e kësaj partie me varrezat masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

 

Kandiq i ka kujtuar Daçiqit se politika e SPS-së, çoi në krijimin e varrezave masive ku u gjetën trupat e shqiptarëve të vrarë.

Ajo ka përmendur Batajnicën, Petrovo Sellon, Rudnicën, minierën e Kizhevakut dhe Liqenin e Peruçacit, duke theksuar se këto raste janë dokumentuar dhe konfirmuar përmes vendimeve gjyqësore.

“SPS = varre masive në Serbi”, ka shkruar Kandiq, duke shtuar se bëhet fjalë për një fakt të vërtetuar dhe të konfirmuar nga vendimet gjyqësore.

Reagimi i Kandiqit erdhi pasi Daçiq kishte komentuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.