




Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë kthesë në diskursin e tij, por edhe në qasjen ndaj raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerësojnë përfaqësues të partive opozitare në Kosovë dhe njohës të çështjeve politike.
Kurti, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takojnë të martën në Uashington sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.





“Palët do të diskutojnë për partneritetin dypalësh midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, për mbështetjen ndaj Kosovës në sektorët strategjikë, përfshirë ekonominë dhe mbrojtjen”, ka thënë Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, është pyetur nga gazetarët se a është ky takim “thyerje e akullit” dhe përmirësim i raporteve të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në?
“Kjo nuk është thyerje e akullit, por është një hap më tej në forcimin e marrëdhënieve tona”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media të martën në Prishtinë.