Ardit Gërvalla ka reaguar ashpër ndaj disa gazetarëve dhe figurave publike, të cilët pas zhvillimeve të fundit kanë kërkuar deklarim nga Donika Gërvalla.
Gërvalla ka akuzuar disa prej tyre se po e citojnë Donikën në postimet e tyre dhe po i kërkojnë asaj të prononcohet, ndonëse, sipas tij, të njëjtit persona më herët kishin kërkuar dhe mbështetur dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Ko kanë dalë disa pseudo-gazetarë, do biznesmeno-gazetarë, do shpijuna-gazetarë, do shokë të Shehollit, tu e citu Donikën në statuset e tyre, duke i kërkuar deklarim. Vetë ata janë që deklaruan, kërkuan dhe brohoritën thirrjen për dënim të krerëve të UÇK-së para pak viteve”, ka shkruar Gërvalla.
Ai ka thënë se Donika Gërvalla, sipas tij, nuk është hipokrite dhe ka akuzuar kritikët se po ndjekin një agjendë politike kundër Qeverisë.
“Donika nuk është hipokrite sikur ju”, ka shkruar ai.
Në pjesën tjetër të reagimit, Gërvalla ka pretenduar se qëllimi i disa prej këtyre personave është orientimi i pakënaqësisë së qytetarëve kundër Qeverisë.
“Luftën e keni me qeverinë, qysh me qet hark mujshim me orientu mllefin e protestuesve ndaj qeverisë. Këtë agjendë keni tash”, ka deklaruar ai.
Në fund, Gërvalla ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj kritikëve të tij, duke i cilësuar si “e keqja e këtij vendi” dhe duke i akuzuar për veprime që ai i konsideron të dëmshme.