Analisti serb: Frikësimi i popullit – metodë e përsëritur e Vuçiqit, për të pranuar vendimet që merren në Prishtinë

Analisti politik nga Beogradi, Dushan Janjiq, thotë se deklaratat e presidentit serb Vuçiq, kryeministres Brnabiq dhe ministrave të Serbisë, se në Kosovë po përgatitet një “Stuhi” e re dhe sulme – “po përsëriten shpesh. Dhe çdo herë i shqetësojnë serbët në Kosovë. Frikësim, pas të cilit zakonisht vjen pranimi i vendimeve që merr Qeveria e Kosovës, është një model i përsëritur”.

“Stuhia”, gropa, kama… Këto fjalë të rënda, që shkaktojnë frikë dhe ankth tek shumëkush, i tha të shtunën në mëngjes ministri serb i Policisë, Aleksandar Vulin, duke përsëritur se Serbia nuk do të lejojë që serbët të dëbohen nga Kosova.

Siç shkruan gazeta “Danas” Presidenti i Serbisë ka pohuar se po planifikohet një sulm ndaj serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e të gjitha targave të qyteteve të Kosovës, që lëshohen në Serbi, me targa RKS.

“Ne nuk po kërcënojmë askënd, nuk ka luftë, nuk ka përdorim të ushtrisë, por ju lusim me shumë dashamirësi, mos u mundoni të dëboni fëmijët tanë nga veriu i ‘Kosovës dhe Metohisë’, mos u mundoni të bëni asnjë fëmijë serb të qajë, mos u përpiqni ta përsërisni ‘Stuhinë’, nuk do të përfundojë mirë. Ndonjëherë kam përshtypjen se edhe BE-ja edhe Prishtina janë çmendur… Budallenj. A jeni normalë që të vini, tu hyni serbëve në shtëpi dhe t’ua rrëmbeni veturat, targat e tyre dhe të pretendoni se është sundim i ligjit”, ka porositur Vulin.