Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, u shpreh se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe “nuk do të sillte mrekulli” në raportet Kosovë-Serbi, por do ta zhbllokonte procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve, përcjellë GazetaBlic.“Mendoj se idetë themelore të marrëveshjes së vitit 2013 [për krijimin e Asociacionit] janë plotësisht në përputhje me kapacitetet e Kosovës për të funksionuar si shtet unitar. Do të ishte një lloj autonomie e kufizuar dhe mund të jetë me kompetenca të kufizuara. [Asociacioni] është diçka që Kosova e ka pranuar dhe më pas është bllokuar për arsye të ndryshme të brendshme. Është diçka që Kosova duhet ta zbatojë dhe varet tërësisht nga mënyra se si rregullohet”, tha Lehne.
Ai më tutje tha se beson se Asociacioni do të jet jetë një autonomi të kufizuar, por shtoi se nuk duhet të jetë një Republika Srpska, e cila do të mund të bllokonte funksionimin e shtetit të Kosovës.“Mendoj se [duhet të jetë] një autonomi e kufizuar. Sigurisht që duhet të jetë kuptimplotë. Komunat me shumicë serbe do të duhej të ishin në gjendje të organizonin vetë pjesë të përditshmërisë. Por, nuk duhet të jetë një Republika Sërpska, nuk duhet ta ketë mundësinë e bllokimit të funksionimit të shtetit të Kosovës”, tha Lehne, përcjellë GazetaBlic .