Në një intervistë për “European Western Balkans”, James Ker-Lindsay, ekspert i gjeopolitikës së Ballkanit Perëndimor, foli gjerësisht për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe opsionet që ai beson se janë ende të disponueshme për të ecur përpara.
Eksperti i Ballkanit Perëndimor është treguar skeptik për projekt-marrëveshjet e propozuara nga ndërkombëtarët.
Megjithatë, ai foli për një mundësi të artë, të humbur për Kosovën dhe Serbinë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare gjatë viteve 2012-2013.
“Kjo është gjëja e trishtuar; ne kemi humbur mundësinë për të provuar dhe për ta bërë këtë. Dhe me të vërtetë mendoj se rreth viteve 2012, 2013, ne ishim në një pozicion ku mund të kishim arritur një lloj marrëveshjeje përfundimtare. Aty ku jemi sot është shumë më e vështirë. Mendoj se ka një qëndrim të pakompromis në shumë pjesë të opinionit publik si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Por ne kemi parë gjithashtu se ka shumë aktorë të jashtëm që kanë qëndruar në rrugën e një marrëveshjeje. Si fillim, Rusia ka qenë absolutisht e vendosur për ta mbajtur këtë çështje të vluar në mënyrë që të ruajë ndikimin e saj mbi Serbinë. Por unë gjithashtu mendoj se aktorët perëndimorë kanë qenë thellësisht të padobishëm ndonjëherë.” – ka thënë njohësi i Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, Ker-Lindsay u shpreh se janë dy opsione të cilat sipas tij kanë mbetur në rrugën për të ecur përpara. Ai tha se është ndarja ose krijimi i një autonomie për serbët pra që nënkupton krijimin e Asociacionit.
Ai në këtë intervistë ka thënë se ideja e korrigjimit të kufijve ende s’ka vdekur dhe se ka ende njerëz që e mendojnë se është një nga opsionet. Madje kur e thotë këtë, kujton fjalët e një ish-diplomati amerikan që kishte përshkruar korrigjimin e kufijve si një ide, koha e së cilës ende s’kishte ardhur.
‘Ka nga ata që ende mendojnë se ky është një opsion”, ka thënë Ker-Lindsay për EWB.
Ai tutje pyet se çfarë mund t’i ofrohet Serbisë për të pranuar pavarësinë e Kosovës.
“Ka vetëm dy opsione të dukshme” potencon Lindsay duke thënë se e para është ndarja dhe e dyta është dhënia e një “autonomie kuptimplotë” për serbët që jetojnë në Kosovë.