Ushtaraku shqiptaro-amerikan Muharrem Maralusha, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, që të mos e nënshkruajnë asnjë marrëveshje me Serbinë.
Ai ka kërkuar që liderët shtetërorë të Kosovës, të mos e nënshkruajnë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pasi sipas tij, ata do të mallkohen nga pasardhësit, përcjell Bota sot.
“Albinit dhe Vjosës: Në qoftë se hyni në dialog me Serbinë dhe e nënshkruani shkatërrimin dhe shitblerjen e Kosovës – zanat e maleve tona do t’ju mallkojnë dhe pasardhësit e brezave të juaja.
Jo Asociacion me Serbinë. Kosova nuk ka nevojë për asnjë dialog me Serbinë. Në qoftë se Kosova, përfundon me një marrëveshje me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, kombi shqiptar sot e 1000 vjet, do të jetë i ndarë dhe tokat shqiptare do të jenë nën sundimin e fqinjvë mijëravjeçar”, ka shkruar Maralusha në një postim në Facebook.
Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për marrëveshje me shtetin që ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve.
“Qeveria e Albinit dhe Vjosës, duhet ta ketë në mendje se një marrëveshje e vërtetuar nga ndërkombëtarët, është e obligueshme. Prandaj, nuk kemi nevojë për asnjë marrëveshje me një komb që ka bërë gjonocid mbi shqiptarët. Kosova nuk ka nevojë për një marrëveshje me Serbinë”, ka shkruar gjenerali.
Ai ka folur edhe për ambasadorin amerikan në Serbi Christopher Hill, për të cilin ka treguar se qarqet në SHBA, i kanë kërkuar zbutjen e retorikës kur flet me serbët për Kosovën.
“Disa qarqe këtu në SHBA/ Shtëpi të Bardhë, i kanë rekomanduar ambasadorit Hill, që ta zbus retorikën, kur flet me serbët, sa i përket çështjes së Kosovës. Dhe me ua bë me dije autoriteteve serbe se “Zajednica”, do të formohet, por sipas Kushtetutës së Kosovës, që është active. Poashtu me jua forcu atyre se fuqi ekzekutive nuk do të ketë”, ka shkruar Muharrem Maralusha.