Shumë serbë marrin paga pa dalë në punë, Hekuran Murati fajëson qeveritë e kaluara

Mes tensioneve pozitë dhe opozitë nisi mbledhja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Gjatë raportimit të ministrit të Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës për vitin 2021, është kritikuar nga opozita për vazhdimin e dhënies së pagave për 199 zyrtarë serbë pa shkuar në punë fare.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka raportuar lidhur me pagesat e punonjësve publikë të etnisë serbe, që nuk dalin në punë. Ministri Murati premtoi se do ta adresojnë çështjen e pagesave për 199 punonjësit nga komuniteti serb.

Për këtë shkelje, ai fajësoi edhe qeveritë e kaluara.
“Marrëveshja e 2015 cila është ratifikuar në Kuvend dhe në atë kohë në koalicion qeverisës keni qenë edhe ju (PDK). Kështu që ju keni ratifikuar një marrëveshje të tillë, pra përgjegjësia bie mbi ju. Dhe tani përgjegjësia se kur dhe sa shpejt do të zgjidhim këtë problem normalisht që na takon neve, por ta dimë adresën se kush e ka shkaktuar këtë problem. Dhe tani po më pyetni mua se a do ta zgjidhim. Po, do ta zgjidhim”, tha Murati.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, i ka thënë ministrit të Financave, Hekuran Murati, se pushteti aktual i ka lodhur duke ua përmendur 20-vjetshin e kaluar.

“Na keni lodhë me këto 20 vjet. Gabim je, gati 20 muaj i bëtë qeverisje, më vjen keq, por nëse ti je ministër i dështuar, duhesh me u deklaru, sepse këta 199 punonjës ke mundur dy muaj me iu dhënë afat, hiq më shumë e jo 20 muaj. Ti përderisa nuk ke marrë masa më herët, duhesh me u arsyetu në qeverisjet e kaluara. Ti 20 mijë mësimdhënësve ua ke ndaluar pagat me arsyetimin se nuk po punojnë. Këta serbë nuk kanë punuar, pse ua ke dhënë pagat?”, pyeti Bytyqi.

Mes pozitës dhe opozitës ka pasur përplasje lidhur me mbledhjen e kaluar të Komisionit për Mbikqyrjen e Financave, të cilën e ka mbyllur kryetarja e komisonit, Hykmete Bajrami.

Ajo ka thënë se mbyllja ndodhi pasi ministri Murati mungoi pa paralajmërim. Ministri ka thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe se stafi i tij e kishte lajmëruar mungesën. /kp