E papritur! LVV i bën “ofertë interesante” PDK-së

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, u është drejtuar përfaqësuesve të opozitës që po qëndrojnë para objektit të Qeverisë, duke bërë të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndodhet në zyrën e tij dhe është i gatshëm të zhvillojë takim.

 

Manxhuka u ka bërë thirrje përfaqësuesve të partive opozitare që të marrin pjesë në një takim me Kurtin, duke përmendur edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën.

“Merreni kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe ejani në takim”, u ka thënë Manxhuka përfaqësuesve të opozitës.

 

Ai theksoi se kryeministri në detyrë ndodhet në zyrën e tij dhe është i gatshëm të diskutojë me liderët opozitarë për tejkalimin e situatës politike.

Deklarata e Manxhukës vjen në një kohë kur përfaqësues të partive opozitare janë mbledhur para objektit të Qeverisë, duke kërkuar zgjidhje për krizën institucionale dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në ditët e fundit, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përsëritur disa herë se mbetet i hapur për dialog me partitë parlamentare, duke bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte konstituimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Mbetet të shihet nëse opozita do t’i përgjigjet ftesës së bërë nga zëdhënësi i Qeverisë dhe nëse gjatë ditës do të zhvillohet një takim mes palëve në përpjekje për zhbllokimin e ngërçit politik.