Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar pas largimit të gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke pretenduar se ajo është detyruar të largohet për shkak të presioneve politike brenda transmetuesit publik.
Sipas Mehmetajt, Sejda, të cilën ai e cilëson gazetare me përvojë, është larguar si pasojë e presioneve që, sipas tij, ushtrohen nga persona të afërt me Lëvizja Vetëvendosje, të cilët, sipas tij, kanë ndikim në RTK.
Ai gjithashtu pretendon se gazetares i është kërkuar të përgatisë një storje me Inteligjencë Artificiale për të mbështetur një version sipas të cilit Sami Lushtaku ka sulmuar me veturë kryeministrin Albin Kurti.
Në reagimin e tij, Mehmetaj thekson se gazetarët ndihen të pambrojtur dhe, sipas tij, nuk po marrin mbështetje as nga opozita, as nga përfaqësitë diplomatike dhe as nga organizatat joqeveritare.
Ai shton se sa më shumë, sipas tij, pushteti përpiqet të forcojë kontrollin mbi institucionet, aq më shumë, sipas tij, humb legjitimitetin moral dhe ekspozohet para opinionit publik.
Postimi i plote i Lirim Mehmatajt:
Një tjetër gazetare u detyrua të largohet nga RTK-ja, pasi regjimi i Albin Kurtit po ia bën të pamundur secilit njeri me një trohë dinjitet ta ushtrojë profesionin e vet.
Arlinda Sejda, gazetare veterane, e njoftoi largimin e saj për shkak të presioneve të egra të piunëve të Vetëvendosjes që e kanë kapur RTK-në.
Paramendojeni, Arlindës i kanë thënë në RTK se duhet ta bëjë një storje me Inteligjencë Artificiale kinse për të dëshmuar që Sami Lushtaku e ka sulmuar me veturë Albin Kurtin.
Veç paramendojeni.
Fatkeqësisht, gazetarët sot janë vetëm.
Nuk mbrohen nga opozita, nuk mbrohen nga ambasadat që dikur reagonin për gjithçka, nuk mbrohen nga OJQ-të që dikur na lodhnin trapin me reagime, nuk mbrohemi nga askush.
Jemi vetëm, përvec një pjese jo të vogël të popullit që e ka kuptuar tashmë se kah dëshiron ta çojë Kurti Kosovën.
Por, një gjë është e vlefshme këtu. Sa më shumë që e shtrëngon Kurti pushtetin e tij autoritar, aq më shumë i bie maska e aq më tepër e humb pushtetin moral.