Janë gjashtë vite që kur Vetëvendosja ka realizuar dyfishimin zgjedhor të vetes, dhe, që atëherë, ka mirëmbajtur gjysmën e elektoratit mbarëvendor.
Kjo vazhdimësi e shumicës demokratike në vend për partinë e Albin Kurtit, e ka gjetur Partinë Demokratike të Kosovës, si partinë kryesore opozitare në vend, duke u mirëmbajtur në një 20%.
Dy përqind më shumë, e dy përqind më pak, në katër palë zgjedhjet e fundit.
Kjo mesatare prej një të pestës së votuesve, është thuasje skalitur në gur për partinë e themeluar nga Hashim Thaçi.
Ky i fundit si lider i kësaj partie, ndonëse qe gjashtë vite i privuar nga liria, vazhdon të jetë ende graviteti elektoral dhe politik i PDK-së edhe në pamundësi pjesëmarrjeje politike.
Kjo parti ka ndërruar kryetarë, prej Enver Hoxhës, te Memli Krasniqi, e më së fundi edhe Bedri Hamza.
Në këto gjashtë vite, që të tre, për rezultat e kanë pasur mbajtjen e kohezionin partiak dhe për të ndaluar rënien. Por, ngritja s’ka qenë rasti.
Bedri Hamza, kryetari i PDK-së ka dy vite që drejton partinë, fillimisht si numër një listë zgjedhore dhe pastaj si kryetar i formalizuar i partisë.
Formalisht, Hamza u zgjodh kryetar më 17 nëntor 2025, në një Konventë pa kundërkandidat, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.
Megjithatë, procesi i ri zgjedhor pritet ta rihapë edhe pozitën e tij, me pëlqimin e vet tij.
Por, edhe ai, s’ka dhënë indikacione se kërkon të mbajë timonin e partisë.
Në zgjedhjet e shpallura të brendshme në të gjitha nivelet, brendarreshtash, Hamza ka lënë të kuptojë se nuk synon rinimin e mandatit të tij si kryetar.
Në konferencën e 8 qershorit, Hamza theksoi se “sigurisht se jam në mandat të plotë për katër vjet”, por pa dhënë përgjigje për rikandidimin.
Ai shtoi se “domethënë edhe pozita e kryetarit do të jetë një garë e hapur”.
Pikërisht ky dallim, ndërmjet mandatit që e ka dhe kandidaturës që nuk e ka shpallur, i ka ushqyer diskutimet për pasardhësin.
Por, kush pas Hamzës, dhe çka për PDK-në?
Edhe disponimi i votuesve të PDK-së është përtërirë.
Figura të rinjsh si Përparim Gruda, Arian Tahiri e Arben Mustafa, në peshoren e përzgjedhjes te votuesit e tyre, rëndojnë më shumë se ‘komandantët.’
Kështu, duke shënuar edhe një votues që kërkon efikasitet dhe rrymë të re në parti ndryshe nga “e djeshmja e përjetshme,”; për të huazuar një shprehje të sociollogut të madh gjerman, Max Weber-it.
Edhe në ‘shehër,’ fliten emra, të dëgjuar nga struktura, të përfolur nga strukturat, dhe edhe të parapëlqyer nga kjo parti për kryetarllëk të ri.
Tri emrat janë përfolur më së shumti: juristi, tash edhe medialisht virtuoz, Përparim Gruda; Uran Ismajli si politikan që PDK-në e ka bërë forcë madhore në Prishtinë, si dhe udhëheqësi karizmatik i protestave trijavëshe në mbrojte të krerërve të UÇK-së, Çlirim Haziri.
Nacionale ka provuar të kontaktojë që të tre me pyetje:
A jeni të kërkuar për kryetar të PDK-së? A keni ambicie për kryetar të PDK-së?
Asnjëri s’ka pranuar të flasë.
Madje, as Enver Hoxhaj, që herën e kaluar kishte shprehur indinjatë me ‘improvizimin’ e zgjedhjes së Bedri Hamzës, dhe kishte artikuluar kritika jo pak të ashpra në prani të të gjithë delegatëve.
Ai edhe në media kishte bërë të ditur, se në zgjedhjet e ardhshme, do të synojë drejtimin e partisë.
Por, në pyetjen e Nacionales, s’ka dhënë përgjigje.
Qëndrimi i Hoxhajt ka një histori.
Më 25 qershor 2025, në “Rubikon”, ai kishte deklaruar se “Kurdo që mbahen zgjedhjet unë do ta shqyrtoj me seriozitet kandidaturën time”.
Kur Hamza u zgjodh në nëntor, Hoxhaj e kundërshtoi procedurën.
“Mendoj që kjo Konventë është një garë e mbyllur, një improvizim, sesa një garë e hapur”, tha ai më 17 nëntor.
Këtë herë, megjithatë, ambicia e dikurshme nuk është përsëritur në formën e një kandidature të konfirmuar.
Përparim Gruda
Në maj të 2022-ës, asokohe kryetari i PDK-së kishte prezantuar për herë të parë, Përparim Grudën, në atë që e kishin dhënë dhënë si “Qeveria në hije.”
Gruda, si një figurë ende e panjohur për publikun e gjerë, do të ishte “Koordinatori për drejtësi,” i këtij formati të PDK-së.
Gruda, në një kohë tejet të shkurt, do të ishte “prodigy” i çështjeve ligjore për PDK-në, ku me kontributin e tij do të arrinte të gjente antikushtetuetshmëritë e Qeverisë së Albin Kurtit.
Dhjetëra ligje të rrëzuara si antikushtetues në Gjykatën Kushtetuese, ishin punë e Përparim Grudës, ç’gjë e ngriti atë edhe në nivel të më të konsultuarit e të referuarit të publikut për çështje kushtetuese.
Skalitja e tij edhe në politikan përtej rreptësisë së fushës profesionale, e çoi atë në të dytin më të votuarin në PDK.
Por Gruda ka dhënë edhe një qëndrim tjetër, para se emri i tij të përfshihej në përfoljet e fundit.Më 10 qershor 2026, në “Debat Plus”, ai tha se “PDK-ja e ka një kryetar që është Bedri Hamza”.
Sipas raportimeve të asaj interviste, Gruda deklaroi se nuk kishte aspirata të kandidonte për kryetar.
Madje, ai shprehu dëshirën që pas Hagës partinë ta drejtonte Hashim Thaçi ose Kadri Veseli.
Asnjëra prej këtyre deklaratave nuk përbën përgjigje të re ndaj pyetjeve të Nacionales.
Uran Ismajli
PDK-ja në Prishtinë, përmes Uran Ismajlit, arriti që të kalojë edhe Vetëvendosjen e gjerë-shtrirë në kryeqytet për ulëse në Kuvendin Komunal.
Çka ishte e paarritshme për dekada për PDK-në në Prishtinë, Ismajli arriti ta kthejë në një forcë për ta njohur.
Me pushtet të konsiderueshëm në Prishtinë, dhe si ndër më të votuarit e PDK-së në nivel qendror, Ismajli kaherë parashihet si drejtuesi pasues i PDK-së.
Por, gjer më tash, asgjë të konfirmuar nuk ka. As nëse ka ambicie, as a do të garojë, a po do të propozohej.
Vetë Ismajli, pas zgjedhjes së Hamzës në nëntor 2025, kishte shkruar se “sot mirëpresim me besim të plotë zgjedhjen e Bedri Hamzës në krye të PDK-së”.
Ndërkohë, më 2 qershor 2026, ai e përshkroi rritjen e partisë në kryeqytet me fjalët se “e kam marrë PDK-në me 5 mijë vota për kryetar dhe e kam sjellë në 29 mijë vota”.
Këto janë vlerësimet e tij për Prishtinën, jo shpallje e një ambicieje për drejtimin e partisë.
Cllirim Haziri
Inkognito, por me shpërthim të shpejtë.
Ndonëse Haziri as nuk është anëtar i PDK-së, drejtimi i protestave masive për mbi dy javë në Prishtinë, e bëri atë figurë me plot rrymë për rininë.
Nacionale ka provuar të marrë qëndrimin e tij se a ka synime politike për të drejtuar PDK-në, por s’ka mundur të marrë përgjigje.
Haziri për dy javë u bë figurë e shpërndashme në rrjete sociale.
Kjo dukshmëri, megjithatë, nuk është e njëjtë me një kandidaturë politike.
Në mungesë të një qëndrimi prej tij, emri i Hazirit mbetet në nivel përfoljesh.