Jo vetem Perparim Rama, edhe kjo figure shpall kandidaturen per kryetar te LDK-se EMRI
Me shumicë mbijetuese dhe thjesht-teknike dy herë brenda vitit Lumir Abdixhiku ia doli të mbajë veten si kryetar me këmbë të drunjta i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Regjistri i tij në krye të LDK-së është het-triku i humbjeve të zgjedhjeve.
Plus, tri herë në vendin e tretë.
Tani, pretendentë për drejtimin e partisë veçse kanë dalë hapur.
Zgjedhjet e brendshme, që priten në vjeshtën e vitit 2027, tashmë veçse janë kthyer në çështje të ditës.
Me Albin Kurtin që themeloi qeverinë mëvete, dhe me PDK-në që ka hapur garë të brendshe, sytë tashmë natyrshëm janë kthyer edhe nga LDK.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe deputetja Hykmete Bajrami janë dy prej atyre që e kanë dhënë publikisht fjalën e tyre si synim për drejtimin e partisë.
Avdullah Hoti në anën tjetër ka propozuar, mes këtyre dy emrave, edhe Kujtim Shalën.
Në këtë konstelacion ‘konkurrentësh’ përmendet edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, si partnerja kryesore politike e Lumir Abdixhikut për ta pasur, por ajo nuk ka shpallur kandidaturë.
Po ashtu, flitet edhe për emrin e Doarsa Kica-Xhelilit si pasuese e mundshme.
Ndërkohë, Abdixhiku vazhdon ta mbajë postin.
Përplasja, megjithëkëtë, nuk është thjesht për emër.
Partia historike e Ibrahim Rugovës nuk po arrin të ngrisë kokën nga vendi i tretë ku është plandosur që nga humbja e madhe e vitit 2021.
Dhe, është shndërruar në thesar të pashterrshëm eksploatimi zgjedhor nga Albin Kurti, i cili vazhdon të vjelë elektorat të LDK-së.
Në tri zgjedhjet e fundit parlamentare, LDK-ja mori rreth 18 për qind, pastaj 13 për qind dhe, në qershor 2026, afër 17 për qind.
Një rikuperim vetëkënaqës pas rënies së dhjetorit, por jo ndryshim renditjeje.
Për kundërshtarët e Abdixhikut, përsëritja e vendit të tretë kërkon përgjegjësi.
Për ithtarët e Abdixhikut, votat e delegatëve kanë vulosur vazhdimësinë e mandatit.
Më 31 janar 2026, Abdixhiku ua ofroi delegatëve dorëheqjen, të cilën pastaj e shndërroi thjesht në “votëbesim,” pasi LDK-ja kishte dalë sërish e treta në zgjedhjet e dhjetorit.
Në votim, 164 delegatë kundërshtuan largimin e tij, ndërsa 136 e mbështetën dorëheqjen.
Ai mbijetoi me rreth 55 për qind.
Më 30 korrik 2026, një tjetër kuvend i jashtëzakonshëm e provoi qëndrueshmërinë e tij.
Këtë herë 170 votuan kundër shkarkimit dhe 152 pro tij.
Me 19 vota ‘nafakë,’ Abdixhiku vazhdoi.
Dallimi prej 18 votash ia ruajti postin, por jo qetësinë politike.
Dy votimet treguan se pothuajse gjysma e delegatëve kërkonin ndryshim.
Vetë Abdixhiku, pas votimit të janarit, pretendonte bashkim.
“Në këtë mes nuk ka as humbës e as fitues”, deklaroi ai.
Edhe sekretari i partisë, Ilir Ferati, e mbrojti, duke vlerësuar punën e tij në terren dhe riorganizimin e LDK-së.
Një nga më të ashprit ishte Gazmend Muhaxheri, kryetari i Pejës, dikur përkrahësi më i madh i Abdixhikut dhe më pas kritiku kyç.
Në “Pressing” të T7, më 28 korrik, Muhaxheri pati treguar çfarë i kishte thënë kryetarit pas kuvendit të janarit.
“Nuk mundemi më me ty, rezultatin e ke të keq”, tha ai, duke e kthyer kritikën në kërkesë të hapur për largim.
“I kam thënë në katër sy, duhet me shku kryetar, duhet me shku edhe unë me ty”, shtoi Muhaxheri.
“Nëse ke ra në vendin e tretë duhesh me u përgatit me lëshu rrugë”, ishte përfundimi i tij.
Gazmend Muhaxheri, ,egjithatë, e përmendi kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, mes atyre që mund ta merrnin drejtimin.
“I plotëson ato kriteret kur e kemi zgjedhë në 2021-ën Abdixhikun”, tha ai, pasi kishte përmendur figurën e re, “të dijshme e të pashme.”
Vendimin, megjithatë, ia la kuvendit të delegatëve, por duke lënë sinjal mbështetjeje për Ramën.
Më 7 shtator, në “Rubikon” të Klan Kosovës, Hykmete Bajrami paralajmëroi se do të hynte në garë në kushte të caktuara.
“Në qoftë se nuk ka ndryshime pozitive, në situatën në të cilën jemi, nëse ka garë fer dhe të hapur unë do të jem njëra prej kandidateve”, deklaroi Bajrami.
Bajrami kishte dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetares në janar, duke kërkuar që edhe Abdixhiku të merrte përgjegjësi për rezultatin.
“Nuk do të pranoja që të isha kandidate e LDK-së për kryeministre në qoftë se partinë do ta udhëhiqte dikush tjetër”, tha ajo.
Po atë mbrëmje, në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, ish-kryeministri Avdullah Hoti paraqiti formulën e tij për ndryshimin.
“Pra, Kujtim Shala të jetë kryetari i LDK-së.”
Hoti propozoi kështu numr të dy të partisë për udhëheqjen e LDK-së.
“Angazhimi im, me gjithë kolegët, është që bartëse e listës dhe kandidatja jonë për kryeministre të jetë Hykmete Bajrami.”
Ai përmendi Shalën, Bajramin dhe Ramën si emra që mund ta nderonin partinë, duke kërkuar pajtim të gjerë para garës së ardhshme.
Në “Intervistën Nacionale”, Hoti kërkoi që drejtuesit aktualë ta ndihmonin kalimin te një udhëheqje e re gjatë vitit 2027.
“Por sigurisht gara ka me qenë e hapur.”
Ai nuk i përjashtoi edhe emrat e tjerë nga konkurrimi.
Ndërkohë, Përparim Rama po e thotë gjithnjë e më zëshëm atë që në fillim e paraqiste si gatishmëri të kushtëzuar.
Më 10 tetor, në një intervistë të publikuar nga Feroz Khan, ai foli për ambicien për ta drejtuar edhe Qeverinë e Kosovës.
“Besoj se misioni i radhës është të bëhem kryeministër, në mënyrë që ta vëmë vendin në rregull”, tha Rama, sipas përkthimit nga anglishtja.
Pesë ditë më vonë, në “Pressing”, ai tregoi se kishte folur me drejtues të LDK-së për mundësinë e marrjes së kryesisë.
“Nuk kanë qenë të gatshëm, unë kam kërkuar gjithë kohën për reflektim”, tha Rama për bisedimet e mëparshme.
Më 19 tetor, i pyetur nëse do të kandidonte për kryetar, ai dha përgjigjen që e afroi edhe më shumë me garën.
“Ende nuk e kam marrë vendimin, por besoj që po!”, deklaroi kryetari i Prishtinës në “DPT te Fidani”.
Një ditë më vonë, në “Debat Plus”, ai ia kërkoi praktikisht Abdixhikut lirimin e rrugës pas tri vendeve të treta.
Më 22 tetor, toni u bë përfundimtar.
Hiç më larg se sot kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut dhe konfirmoi synimin për të kandiduar.
“Kish bë mirë me u dorëheq”, ishte porosia e tij për kryetarin, të cilit pak ditë më parë i kishte kërkuar reflektim.
Në krahun kritik qëndron edhe deputeti Arben Gashi, i cili qysh në janar mbështeti largimin e Abdixhikut dhe kërkoi ndryshim.
“Unë e miratojë dorëheqjen e tij, jam pro një ndryshimi brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaronte Gashi.
Në prill, pasi nuk u përfshi në Kryesinë e re, ai tha se propozimet e tij për ndryshim nuk kishin marrë mbështetje.
“Kam propozuar veprime konkrete për distancim nga parregullsitë dhe për krijimin e një momentumi të ri, gjithëpërfshirës, konkurrues dhe me vizion të qartë”, shkroi ai.
Më 3 tetor, Gashi e zhvendosi kritikën nga drejtuesi te paqartësia e vijës politike të partisë përballë Albin Kurtit.
Sipas tij, LDK-ja kishte kaluar nga refuzimi i bisedimeve te kërkesa për zgjedhje, pastaj te bashkëqeverisja dhe marrëveshja për presidentin.
“Ku janë parimet? Ku është konsistenca? Ku është drejtimi? Ku është ideali?”, pyeti Gashi.
Në këtë klimë, edhe Vjosa Osmani mbetet pjesë e diskutimit.
Ish-presidentja u rikthye në listën zgjedhore të LDK-së këtë vit.
Megjithatë, kthimi në parti nuk përbën shpallje kandidature për kryetare.
Në shtator, e pyetur për këtë mundësi, ajo nuk dha përgjigje përfundimtare.
“Kjo është një pyetje për të cilën nuk kam një përgjigje tani për tani”, ka thënë Osmani në “Inside Albania”, sipas përkthimit të Euronews Albania.
Sipas afatit të përmendur nga Bajrami, zgjedhjet e rregullta priten në shtator ose nëntor 2027, kur delegatët do të vendosin për udhëheqjen.