Ish-ushtari i UÇK-së, Naser Shatri, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit politike dhe incidenteve në Skenderaj, duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë figurës së PDK-së, Sami Lushtaku.
Përmes një postimi publik, Shatri ka akuzuar disa ish-komandantë të UÇK-së për keqpërdorim të gradave ushtarake dhe përfshirje në dhunë politike.
“Kur gradat e UÇK-së keqpërdoren! Shumë nga komandantët në kohë lufte morën grada pa naj meritë të caktuar. Fatkeqësisht me dhunë e metoda frikësimi disa nga këta komandanta erdhën në pushtet”, ka shkruar ai.
Shatri tutje pretendon se gjatë kohës së pushtetit, disa prej ish-komandantëve “u pasuruan shpejt dhe bënë miliona euro”, ndërsa shton se tashmë, sipas tij, po përdoret dhuna ndaj kundërshtarëve politikë.
Në reagimin e tij, ai ka lëshuar edhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj eksponentëve politikë të lidhur me luftën:
“Veç dijeni që edhe në Vetëvendosje ka njerëz që kanë luftu dhe ende janë gjallë”, shkroi Shatri.
Ai kërkoi që drejtësia të merret me rastet e sulmeve fizike ndaj kundërshtarëve politikë, duke shtuar se “po ndahet shapi prej sheqerit”.