“Shpërthen” me reagim të ashpër Halil Geci, shkruan “zi e terr” për të

Ish-anëtari i LDK-së, Halil Geci, ka reaguar me tone të ashpra dhe ironike ndaj deklaratës së deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se “edhe Slobodan Miloševići luftën e nisi në Drenicë, por Drenica asnjëherë nuk u nënshtrua”.

Në reagimin e tij publik, Geci e quajti Musliun “profesoreshë të budallallëkut publik”, duke e krahasuar madje edhe me figurën virale, Linda Morina.

“Seminar satirik i profesoreshës së budallallëkut publik, Linda Morina në qendër të Drenicës”, shkroi Geci në nisje të reagimit të tij.

Ai ironizoi deklaratat politike të Musliut, duke thënë se ajo “është krijuar si megafon i UÇK-së”, por sipas tij “jo i UÇK-së së popullit, por i milionerëve për përfitime politike e vota”.

Geci nuk u ndal me kaq, pasi në reagimin e tij përmendi edhe figura të tjera politike e ushtarake, për të cilat tha me ironi se kanë marrë “mësime politike dhe ushtarake” në “kazermën e Shtimles” dhe “përrojet e Drenicës”.

Reagimi i tij vjen në kohën e tensioneve të rritura politike pas incidenteve të fundit në Skenderaj dhe deklaratave të shumta mes eksponentëve të partive politike.