Kurti në Londër: Serbia është “proxy” i Rusisë, i 48 baza pranë kufirit të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia vepron si “proxy” i Rusisë, duke theksuar se rreth kufirit të Kosovës ndodhen 48 baza të përparme operacionale.

 

Gjatë fjalimit në Konferencën e Londrës për Mbrojtje, ai tha se këto baza janë të vendosura brenda asaj që quhet zona e sigurisë e NATO-s, ndërsa sipas tij, ndikimi rus në Serbi është i drejtpërdrejtë.

“Kremlini ka një zyrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë në Beograd dhe Qendrat Rajonale të Russia Today dhe Sputnik për Ballkan janë në Serbi”,u shpreh Kurti, sipas zyrës për informim të qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

Duke folur për luftën hibride, kryeministri theksoi se ajo nuk e zëvendëson luftën klasike, por shërben si fazë përgatitore për të, duke shtuar se kjo formë e konfliktit tashmë është bërë normë globale, madje sipas tij, sot është lajm kur nuk ka ndërhyrje hibride në procese zgjedhore.

Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të qëndrueshmërisë dhe adaptueshmërisë ndaj këtyre sfidave, duke përmendur edhe ndikimet që ato kanë në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kontekst, Kurti, sipas njoftimit, theksoi se forcimi i sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe rritja e solidaritetit janë elemente kyçe për përballimin e sfidave të sigurisë.

Duke folur për zhvillimet në Evropë, ai u ndal edhe te lufta në Ukrainë, duke e cilësuar atë si një mundësi për bashkim më të madh të kontinentit.

Sipas tij, nëse Bashkimi Evropian arrin të menaxhojë sfidat e kësaj dekade, dekada e ardhshme mund të jetë dekada e BE-së, me një rol të rëndësishëm të NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri I Kosovës foli gjithashtu për rëndësinë e zhvillimit të industrisë ushtarake dhe investimit në prodhimin e armëve dhe municionit, si dhe për nevojën e angazhimit më të madh me të rinjtë.

“Ajo çfarë bëj në vendin tim, Republikën e Kosovës, është angazhimi me të rinjtë. Është shumë e rëndësishme që të angazhohemi me të rinjtë, sepse po e humbasim kontaktin. Hapësira ndërmjet gjeneratave është problematike dhe lufta hibride mund të jetë fatale”, tha ai.