Musmurati, ish i burgosur politik nga Gjilani: Krenar me bashkëluftëtarët në Hagë, folën siç i ka hije udhëheqësve-ballëlartë e shpinëdrejtë

Basri Musmurati, ish i burgosur politik nga Gjilan, ka reaguar pas paraqitjes përfundimtare në Hagë të Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke shprehur krenari dhe emocion për qëndrimin e tyre para drejtësisë ndërkombëtare.

Në një reagim publik, Musmurati theksoi se dëshmitë e tyre në Hagë dëshmuan, sipas tij, arsyet pse “fati i kombit ishte vendosur në duart e tyre” në periudhat më të rënda të historisë së Kosovës.

Ai u shpreh se si ish i burgosur politik, që kishte kaluar 10 vite në burgjet e Serbisë për shkak të angazhimit për lirinë e Kosovës, e kupton peshën emocionaledhe psikologjike të një procesi të tillë gjyqësor.

Duke iu referuar ngjarjeve të viteve 1998–1999, Musmurati rikujtoi masakrat në Likoshan e Qirez dhe ngjarjet në Skënderaj, përfshirë vrasjen e familjes së komandantit Adem Jashari. Sipas tij, ato ngjarje përbëjnë dëshmi të qarta të rrethanave që çuan në organizimin e armatosur të shqiptarëve të Kosovës përmes Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Ky është tmerri që pashë me sytë e mi. Ky është realiteti që i bindi ata t’i bashkohen luftës për mbijetesë,” është shprehur Musmurati, duke shtuar se udhëheqësit në Hagë “folën ballëlartë dhe me bindjen se kishin shërbyer në anën e drejtë të historisë”.

Në fund, ai theksoi se pavarësisht procesit gjyqësor, historia e luftës dhe e sakrificës për liri, sipas tij, mbetet e pandryshueshme dhe e lidhur ngushtë me themelimin e Republikës së Kosovës.

Musmurati përmbylli reagimin e tij me besimin në drejtësi dhe në, siç u shpreh ai, “të vërtetën e pamohueshme” të përpjekjes për liri.