Dyshime se si u pajis me patentë-shofer portieri Arijanet Muric – A i dha testet për leje sa ishte në fushë?

Një hulumtim disa mujor i KALLXO.com zbulon një skemë të dyshimtë se si u pajis me patentë-shofer, portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric. Ai figuron se ka marrë patentën në ditët e njëjta kur ishte prezent në fushë me futbollistët e tjerë të Kosovës ose me ekipin e tij. 

Hulumtimi i KALLXO.com shpërfaq një skemë interesante ku portieri i kombëtares nga fillimi kur kishte paraqitur orët praktike për vozitje që duhej t’i mbante në auto-shkollë e deri në paraqitjet e tij për provime, i kishte bërë derisa ishte duke luajtur jashtë vendit në të njëjtën kohë.

Në bazë të dosjes së Muric, disa orë praktike të vozitjes ishin mbajtur në Kosovë, në datat e njëjtat kur i njëjti ishte duke mbrojtur portën nga golat jashtë vendit në Turqi.

 

Arijanet Muric kishte mbajtur orët e para të vozitjes nga 27.01.2022 deri më 22.02.2022. Pra sipas shënimeve, ai i kishte mbajtur plotë 20 orë – vozitje praktike, e që më pas do t’i nënshtrohej provimit praktik për patentë shofer.

Orët e vozitjes Muric me vendbanim në Prishtinë, kishte vendosur t’i mbaj në Deçan të Pejës tek Autoshkolla “Vosa”.

Por a i kishte mbajtur personalisht të gjitha orët – praktike të vozitjes Muric para hyrjes së tij në testim për vozitje?

KALLXO.com ka arritur të hulumtoj se tri prej 20 orëve praktike për vozitje që Muric i kishte bërë në Autoshkollën “Vosa” nga Deçani, ishin mbajtur në ditët e njëjta kur portieri zhvillonte lojë në stadiume.

 

Muric, kishte zhvilluar tri ndeshje nw kwto data: 06.02.2022, 14.02.2022 dhe me datë 20.02.2022.

Më 06.02.2022 Muric kishte marrë notën mesatare 8.7 për lojën që kishte luajtur me ekipin e tij Adana Demirspor ku kishte fituar 3-1 ndaj Rezesporit.

Me datë 14.02.2022 Muric në këtë lojë është notuar me 7.5, kur ekipi i tij Adana Demirspor kishte barazuar ndaj Besiktas.

Me datë, 20.02.2022 Muric është vlerësuar me notën 7.7 në ndeshjen ndaj ekipit Gaziantep, ku ekipi i tij Adana Demirspor fitonte me rezultat 3-0.

Ilustrimi – Orët e vozitjes në autoshkollën Vosa dhe lojët futbollistike të zhvilluara nga Muric me ekipën nga Turqia – Adana Demirspor.

KALLXO.com nga shikimi i dosjes së lëndës për Muric kishte vërejtur se si instruktor nga autoshkolla “Vosa” e Deçanit ishte Denis Tafilaj, e ku shënohet se ai kishte mbajtur 20 orët me Muricin.

KALLXO.com ka kontaktuar me instruktorin Tafilaj dhe ai thotë se kandidati Arijanet Muric i ka mbajtur të gjitha orët e praktikës së vozitjes.

Tafilaj për KALLXO.com tha se legjislacioni nuk ia ka ndaluar një autoshkolle që të shkoj nga Kosova jashtë vendit për t’i mbajtur orët praktike për vozitje, nga Kosova në Gjermani.

Por në kohën kur Tafilaj i referohej shkuarjes në Gjermani, Murici ndodhej në Turqi, duke zhvilluar ndeshje për klubin e tij të atëhershëm.

“Të tregoj që çdo gjë është sipas legjislacionit dhe udhëzimeve administrative të aplikueshme në Kosovë, çdo sen është qysh është e përcaktuar me ligj” – thotë ai.

I pyetur se a janë mbajtur orët e vozitjes me Muricin ashtu qysh figuron në listë, instruktori thotë se të gjitha janë mbajtur.

Instruktori pretendon se të gjtha orët që janë shënuar se janë mbajtur, ai i ka mbajtur. “O jo veç për këta, po për secilin” – thotë i bindur instruktori Tafilaj.

“Burgun a Ke me mbajte ti a unë nëse është diçka e kundërligjshme, secili i ka mbajte orët, unë përgjigjem para organeve të drejtësisë, unë jam tu thanë që secili u kanë në Kosovë dhe i ka mbajtë orët. Por unë e kam të lejuar me shku edhe në Gjermanie dhe kudo (me i mbajtë orët me kandidatët)” – thotë Tafilaj në një bisedë për KALLXO.com.

KALLXO.com ka arritur të zbuloj se në dosje të Muric, shkruhet se kishte ndjekur të gjitha orët e ligjërimit tek Denis Tafilaj në pjesën e mësimit të teorive për komunikacion, por përsëri del se Murici kishte ndjekur një orë mësimore nga Turqia.

Kjo pasi sipas të dhënave në dosje Muric i kishte ndjekur ligjërimet e komunikacionit nga 19.01.2022 – 25.01.2022. Por përsëri me datë 22.01.2022 Muric ka qenë titullar në fushë për Adana Demirspor luan kundër Karagmurk duke fituar me rezultat 5-0. Ai ishte vlerësuar me notën 7.9 në atë ndeshje.

Lidhur me këtë pretendim, Denis Tafilaj personi i cili i kishte nënshkruar orët e ligjërimit për Muricin, thotë se rregullorja ia ka lejuar që orët nga ligjërimit për rregullat e komunikacionit kandidatëve i janë mundësuar që t’i ndjekin edhe nga vendet e tjera përmes video-linkut.

Tafilaj thotë se muajt e qershor, korrik dhe gusht nuk regjistrohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve në pika kufitare.

“Edhe një sen, a e di ti që pjesa teorike është e lejuar me u mbajt edhe online, në asnjë udhëzim administrativ nuk shkruan që kandidati duhet me qenë prezent për ligjërata? A e di ti që fakultetin ke mundësi me kry me korrespodencë, a ta jep profesori në fund nënshkrimin me ju nënshtru provimin? Nëse është e kundërligjshme me u kry fakulteti, koka e kundërligjshme edhe nëse, unë kom gabu diçka për dy tri orë gabime teknike që po thu ti u kanë jashtë shtetit, s’u kanë, edhe fakulteti po u kryjka pra me korrespodencë jashtëligjshëm” – thotë Tafilaj.

“E hajde dokumentoma ti mu a u kanë a s’u kanë, periudhën e muajt 6,7,8 a e di ti që në kufi nuk vendoset kur janë hi e kur janë dalë?”- tha Denis Tafilaj për KALLXO.com në një bisedë të datës 26.08.2025.

A ishte Muric prezent në testin praktik për patentë shofer?

Rasti del të jetë edhe më interesant ku pas përfundimit të orëve të vozitjes në autoshkollën “Vosa” nga Deçani, Muricit i vjen koha që t’i nënshtrohej provimit praktik për patentë shofer.

Më 20.06.2023 Muricit i caktohet data që ta mbaj testin praktik, të cilin kandidati kishte arritur ta kalonte. Dosja tregon se Murici i është nënshtruar provimit në ora 11:31 dhe ka zgjatur rreth gjysmë ore, deri në ora 12:01.

Vetëm një ditë më herët, me datë 19.06.2023 në ora 20:45 ekipi i Kosovës gjendej në Budapest dhe zhvillonte ndeshjen me Bjellorusinë.  Në këtë ndeshje në port ishte portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Anan Muric. Ndeshje nga e cila Muric kishte pranuar dy gola dhe i njëjti ishte vlerësuar me notën mesatare 6.0.

Se kishte udhëtuar për në Budapest, pas refuzimit të Federatës së Futbollit të Kosovës që të përgjigjet, KALLXO.com ka hulumtuar manulaisht në faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ka gjetur video të datës 18.06.2023 teksa shihet Muric duke ngjitur shkallët e avionit i cili do t’i dërgonte lojtarët në stadiumin “Szusza Ferenc Stadion” në Budapest të Hungarisë.

Postim në rrjetin social Instagram nga FFK datë 18.06.2023

Me datë 20.06.2023, prezent gjatë testimit për vozitje ka qenë pyetësi (ekzamineri i ministrisë), Naim Demolli.

Kurse si instruktori nga autoshkolla “Vosa” në dosje paraqiten vetëm disa iniciale. Sipas rregullave, gjatë testimit të një kandidati nga zyrtarët e ministrisë duhet të jetë prezent edhe instruktori i auto-shkollës.

Sipas dosjes, emri i instruktori nuk është shkruar asnjëherë por vetëm inicialet.

KALLXO.com kishte telefonuar ekzaminerin e ministrisë Naim Demollin për ta pyetur nëse kandidati i ishte nënshtruar testit praktik dhe kush kishte qenë prezent nga autoshkolla “Vosa”.

Demolli më 27.08.2025 nuk kihste ogfruar përgjigje për pyetjet e KALLXO.com.

“Jo, jo, nuk jam ma ekzaminer, që dy vjet e ma tepër nuk jam ma…” – tha shkurtimisht Demolli për KALLXO.com dhe pastaj nuk ishte i qasshëm më.

Ndonëse nuk e hapi më telefonin, KALLXO.com i ka lënë dy mesazhe telefonike Demollit duke ja shpjeguar në detaje rastin dhe i janë parashtruar pyetjet, i njëjti deri në publikimin e këtij hulumtimi nuk ka kthyer përgjigje.

KALLXO.com nga shikimi i dosjes së lëndës ka vërejtur se në testin praktik, Murici shkruhet se e ka dhënë më 20.06.2023, nga ora 11:30 – 12:01, kurse në listën që shënohen kandidatët që do t’i nënshtrohen testit, është e datës 19.06.2023 kurse fillimi i testimit nga ora 8:30.

Ilustrimin e dy dokumentacioneve: Fotoja në anën e majtë është provimi praktik i Muric kurse në anën e djathtë lista e kandidatëve që kanë hyrë në testim.

Muric kishte zhvilluar edhe një lojë tjetër me përfaqësuesen e Kosovës me datë 16.06.2023, katër ditë para se i njëjti t’i nënshtrohej provimit praktik për patentë shofer. Përfaqësuesja e Kosovës kishte përballë Rumaninë me të cilën kishin barazuar me rezultat 0-0, në të cilën portieri i Kombëtares së Kosovëss kishte marrë notën 7.1.

Vetëm dy ditë para datës 16.06.2023, Muric sipas konfirmimit nga Kryqi i Kuq për patentë shofer ka ndjekur ligjërimet për çertifikimin në degën e Klinës, për patentë shofer dhe çertifikohet zyrtarisht me datë 14.06.2023. Zyrtarisht Kryqi i Kuq ka konfirmuar se i njëjti figuron në listën e pjesëmarrësve.

“Sipas të dhënave në databazën tonë, figuron kandidati Arijanet Muric, i cili e ka përfunduar kursin e ndihmës së parë më 14 qershor 2023, në degën e Kryqit të Kuq në Komunën e Klinës. Çertifikata është e regjistruar me numrin 0802160 dhe kandidati figuron në listën zyrtare të pjesëmarrësve”- thuhet në përgjigjen e Kryqit të Kuq me datë 28.08.2025.

Por KALLXO.com gjatë shikimit të dosjes së Muric ka vërejtur një detaj që nuk përputhej me emailin zyrtar të Kryqit të Kuq. Në fletën e Kryqit të Kuq që i është bashkangjitur dosjes për patentë shofer të Muricit shkruan se është çertifikuar nga Kryqi i Kuq me datë 12.06.2023 dhe mban numrin serik identik 0802160. Pra është numri i njëjtë serik, datë tjetër në dosje dhe datë tjetër e konfirmuar nga Kryqi i Kuq.

Çertifikata e kryqit të kuq e datës 12.06.2023.

Kursi për Kryqin e Kuq zhvillohet në një ditë të vetme, tërë ditën dhe në fund kandidatët i nënshtrohen një testi nga i cili vlerësohen nësë do të marrin certifikatën e Kryqit të Kuq.

Por, Muric me 14.06.2023 gjendej në fushë të gjelbërt duke u stërvitur me ekipin Kombëtar të Kosovës. Këtë KALLXO.com e ka konfirmuar në bazë të një video – lajmi që e ka shpërndarë Federata e Futbollit të Kosovës, e në të cilën shihet Muric duke u stërvitur me ekipin Kombëtar.

A e dha në të vërtetë testin teorik Arijanet Anan Muric?

Sipas të dhënave që i ka KALLXO.com, Muric ka arritur që ta kalonte provimin teorik me datë 05.09.2022 ku në testin teorik, emri i ekzaminerit shkruhet me inicialet A.R..

Sipas hulumtimit tonë, i vetmi person që përkon me këto iniciale është ekzamineri Agim Rastelica.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Rastelica konfirmoi se tash e 3 viteve ka dalë në pension. Ai thotë se nuk ka pasur kontakt me kandidatin Ariajanet Muric dhe se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.

Rastelica tha se ndonëse kishte dalë në pension në shtator të vitit 2022, një vit më pas, emri i tij ishte keqpërdorur në testet teorike për pantetë shoferë, për të cilën ai thotë ka rast që po trajtohet në Gjykatën e Pejës.

Sipas Rastelicës, rreth dy javë para shtatorit 2022 (muaji kur ka dalë në pension) nuk ka dalë fare në punë.

“Edhe për iniciale, kur jam dalë në pension, pas do muajsh apo pas një viti, ma kanë keqpërdorur nënshkrimin tim. Unë si kam njohur ata edhe unë e kam mbiemrin Rastelica, e ata s’kanë ditë me vjedh qysh duhet, e kanë bo Restelica. Në shtator të këtij viti, i bëj tre vjet që kam dalë në pension.” – thotë Rastelica.

“Shumë sene kishin bo ata në emër timin, në favore të tyre, pa qenë unë atje hiç.” – thotë tutje Rastelica në një bisedë për KALLXO.com, më 27.08.2025.

Në Prokurorinë Themelore të Pejës ekziston një aktakuzë ndaj 5 personavë për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Zyrtarët Agim Restelica, Luigj Gojani, Denis Tafilaj, Asmon Aliçkaj dhe Fidan Tafilaj akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën e tyre në testet për patentë-shofer në qytetin e Pejës dhe Deçanit.

Sipas prokurorisë, Denis Tafilaj akuzohet se iu ka ndihmuar personave që kanë qenë jashtë Kosovës t’i nënshkruajnë orët se gjoja i kanë mbajtur orët praktike në këtë autoshkollë.

Arijanet Muriq figuron se ka kryer aktivitetet e nevojshme për pajisjen me patentë shofer tek autoshkolla ‘Vosa’, ku instruktor është Denis Tafilaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës.

Ministria e Infrastrukturës – departamenti për patentë shofer ka konfirmuar për KALLXO.com se me 05.09.2022, Muric sipas shënimeve e ka kaluar testin teorik, por emri i tij nuk figuron në asnjë listë të njoftimeve se ka mbajtur testin teorik në atë ditë.

Emri i Muric nuk figuron as në listën e vjetër, e cila është me shkrim dhe as në listat e reja që janë bërë në formë digjitale.

“Sipas shënimeve që posedojmë, kandidati në fjalë testin teorik e ka kaluar me datë 05.09.2022, por që nuk figuron në lista e as në njoftime nga ana e njësisë, që atë ditë është mbajtur testi teorik (me shkrim sipas sistemit të vjetër), e as sipas sistemit të ri që është digjital për kandidatin në fjalë”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë me datë 02.09.2025.

KALLXO.com përmes konfirmimeve zyrtare ka arritur të kuptoj se Muric ishte pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës vetëm 8 ditë para se i njëjti t’i nënshtrohet provimit praktik për patentë shofer.

KALLXO.com kishte provuar të kontaktoj me protagonistin kryesor të këtij hulumtimi, Arijanet Anan Muric, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

I kontaktuar përmes kanalit të tij zyrtar në Instagram, portieri i Kombëtares së Kosovës nuk ka kthyer përgjigje dhe ka bllokuar çdo mundësi për ta kontaktuar në këtë rrejt social.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe përmes kompanisë që menaxhon futbollistin, por as në këtë formë nuk kemi arritur të marrim përgjigje.

Policia e Kosovës nuk ka ofruar të dhëna për hyrje-daljet në datat specifike kur raportohet se Muric ka qenë në Kosovë për t’i kryer obligimet në lidhje me procesin e marrjes së patentë-shoferit. Sipas policisë, këto trajtohen si të dhëna personale dhe nuk mund të ndahen me publikun.

Njëjtë qasje nuk kanë ofruar as nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

A tentonte FFK të joshte futbollistët t’i bashkoheshin Kosovës në këmbim të patentë-shoferit?

Në një intervistë për mediumin Telegrafi, menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala derisa fliste për fushatën e FFK-së për t’i ofruar futbollistët më të mirë shqitparë në ekipin e Kosovës A, tregonte se si në një rast i kishte premtuar një futbollisti se do të ia siguronte edhe patentë-shoferin.

“Lojtarë tjerë që kanë pranuar me lujtë për Kosovën dhe e ka ndërru është Mërgim Berisha, dhjetë herë ka pranu me lujtë për Kosovën. Lejen e kerrit i kam thanë ta ndreqim, ta ndreqim, krejt, gjithçka, çka dush, fol… Gjithçka kemi bo për to, i kemi ndal do sene, tash po flasim kështu, i kemi ndal do sene, me një milion intervenca, që ato kane mujtë me dëemtu masnej… “- thotë mes tjerash Bajram Shala ne këtë emision të datës 18 gusht 2024.

KALLXO.com i ishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ti vënë në dijeni lidhur me këtë deklaratë publike që e kishte dhënë Shala dhe ishte interesuar të dijë se a e kanë intervistuar ndonjëherë Shalën për këtë deklaratë.

Prokuroria me 28.08.2025 ka thënë se janë në fazën e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është në fazën e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje. Për më shumë informata ju njoftojmë me kohë” -ka thënë për KALLXO.com

KALLXO.com me datë 04.09.2025, ka provuar të kontaktojë me Bajram Shalën, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Në këtë rast i kemi lënë një mesazh telefonik me disa pyetje rreth deklarimit të tij, pro Shala nuk është përgjigjur.

KALLXO.com përsëri me datë 08.09.2025 ka provuar të kontaktojë me të, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.