Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani për një kërcënim të mundshëm nga Serbia.
Sipas tij, presidentja “nganjëherë e humb rrugën” dhe do të ishte më mirë të fokusohej në çështjet që lidhen me ish-presidentin Thaçi, Veselin, Krasniqin e Selimin, si dhe të dëgjonte kategoritë e dala nga lufta.
“Reagimet i kemi parë përmes mediave, ajo çka e thotë presidenti Trump, presidentja jonë nganjëherë e humb rrugën, kishte qenë mirë të merret me ish-presidentin Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, do të ishte më mirë të bënte një punë më të mirë për ta. Ose të kthente kokën njëherë nga kategoritë e dala nga lufta. Çka ka folur për neve nuk kanë rëndësi,” shtoi.
Syla foli edhe për Gjykatën Speciale, duke e quajtur atë “gjykatë politike” dhe theksoi se po kërkojnë mbështetje ndërkombëtare: “Ju kemi shkruar ambasadave dhe kemi pasur takime, përfshirë edhe me Parlamentin zviceran. Po ndjekim rrugën politike.”
“Qëndrimi është i qartë, është gjykatë politike, nuk jemi të sigurt me dalë me bë protestë, nuk e dimë efektin e saktë. Ju kemi shkruar ambasadave, na kanë konfirmuar takimet. Grenellit i kemi shkruar, mendojmë që ky gjykim është politik. Do të ndjekim rrugën politike. Vizitën e fundit e kemi pasur me Parlamentin zviceran, të tjerët s’do t’i mbajmë publike. Katër prej tyre që na kanë ndihmuar, kanë pranuar t’i dëgjojnë hallet tona.”