Serwer: Vuçiqi mashtron, nuk ndërpret lidhjet me Kremlinin dhe inkurajon politika proruse në Serbi

Daniel Serwer, profesor në universitetin amerikan “Johns Hopkins”, ka komentuar nismën ushtarake të Kroacisë me Shqipërinë dhe Kosovën dhe reagimet që pati Serbia pas kësaj nisme.

Serweri thotë se “gara e vetme” e armëve në rajon, është ajo që udhëheq Serbia për vite me radhë.

“Serbia nuk është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Vuçiqi, thjesht, i mashtron diplomatët naivë”, thotë ai.

Serweri shton se Beogradi vazhdon të refuzojë zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, si dhe t’i ofrojë mbështetje politikës secesioniste në Republikën Sërpska, të udhëhequr nga Millorad Dodik.

Po sipas tij, pushteti në Beograd, i cili nuk i ka ndërprerë lidhjet me Kremlinin as pas pushtimit rus të Ukrainës, inkurajon politika proruse si në Serbi, ashtu edhe në Mal të Zi.

“Asnjë nga këto nuk kontribuon në paqe dhe stabilitet”, përfundon Serweri.