Kundërshtimet në Turqi ndaj projektit të Edi Ramës për krijimin e një “Shteti Bektashi” në Tiranë po shtohen. Pas forumit të zhvilluar në Hacıbektaş dhe deklaratës që sfidoi projektin shqiptar, teologu Cemil Kılıç kërkon hapa më të fortë nga shteti turk, mosnjohjen e Baba Mondit dhe shpalljen e Hacıbektaşit si qendër të bektashizmit botëror.
Vijon “revolta” në Turqi kundër planit të kryeministrit Edi Rama për krijimin e një “Shteti Bektashi” në Tiranë. Vetëm pak ditë pas sinjaleve të forta që erdhën nga forumi i zhvilluar në Hacıbektaş, zëra të tjerë turq po kërkojnë që Ankaraja të mbajë një qëndrim edhe më të prerë ndaj projektit.
Një nga reagimet më të forta ka ardhur nga teologu dhe shkrimtari turk Cemil Kılıç. Në një postim në platformën X, ai kërkon që Turqia të ndërmarrë hapa konkretë kundër krijimit të shtetit të propozuar në Shqipëri dhe të formalizojë njëkohësisht pozicionin e Hacıbektaşit si qendër e bektashizmit.
“Turqia duhet të ndërmarrë hapa më efektivë kundër përpjekjeve për të krijuar një shtet bektashi në Shqipëri. Turqia duhet ta njohë zyrtarisht bektashizmin dhe, për shkak të kushteve të reja që janë krijuar, të shpallë distriktin Hacıbektaş si qendrën e bektashizmit botëror. Bektashizmi duhet të mbështetet në Turqi”, shkruan Kılıç.
Kërkesat e tij shkojnë më tej. Kılıç kërkon që shteti turk të njohë një Dedebaba në Turqi, ta përfshijë atë në protokollin shtetëror dhe t’i japë Hacıbektaşit një status të posaçëm fetar.