Limaj për reagimin e Trendafilovës: Ligji i ri për Specialen ka nisur të japë efektet e para

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vlerësuar se reagimi i kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, është shenja e parë se ndryshimet e miratuara në Ligjin për Specialen kanë filluar të japin rezultate.

 

I ftuar në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, të martën, më 20 tetor, Limaj ka deklaruar se adresimi publik i Trendafilovës vjen si pasojë e veprimeve të ndërmarra nga institucionet e Kosovës.

Sipas tij, fakti që kryetarja e Gjykatës Speciale ka dalë publikisht për të dhënë sqarime për funksionimin e këtij institucioni përbën një zhvillim pozitiv.

“Efektet e para dhe shenjat e para të efektit të ligjit është detyrimi i zonjës Trendafilova për të dalë me dhënë këtë sqarim e prononcim dhe kjo është shenja e parë e efektit të ligjit”, ka deklaruar Limaj.

Ai ka vlerësuar se Trendafilova është treguar e kujdesshme në adresimin e saj, duke mos i komentuar drejtpërdrejt ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas Limajt, kryetarja e Dhomave të Specializuara është përqendruar në interpretimin e bazës ligjore mbi të cilën funksionon institucioni që drejton.

 

Kreu i Nismës ka pretenduar se Dhomat e Specializuara për vite me radhë janë karakterizuar nga mungesa e komunikimit dhe transparencës ndaj qytetarëve të Kosovës.

Për këtë arsye, ai e sheh adresimin e Trendafilovës si një ndryshim në qasjen e institucionit, pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së saj.