Anton Quni del me reagim pas vendimit të Hagës – Ka një kërkesë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

 

Quni ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar se ky është një moment i ndjeshëm për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i sakrificës së brezave, rezistencës politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, luftës së UÇK-së dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

 

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, ka deklaruar Quni.

Ai ka theksuar se gjatë luftës në Kosovë Serbia kreu krime ndaj civilëve, përfshirë vrasje, dëbime dhe shkatërrime të vendbanimeve.

“Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Quni ka mbështetur gjithashtu shterimin e të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë procedurat e shkallës së dytë, duke nënvizuar rëndësinë e shtetit të së drejtës.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi e maturi, ndërsa përfaqësuesve politikë u ka kërkuar përgjegjësi në fjalët dhe veprimet e tyre, duke shmangur nxitjen e tensioneve.

“Liria jonë ka kushtuar shumë. Shteti ynë është përgjegjësi e të gjithëve. Ta ruajmë Kosovën, unitetin qytetar dhe miqësitë që i qëndruan pranë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë”, ka thënë Quni.

Në përmbyllje të reagimit, ai ka deklaruar se UÇK-ja mbetet “pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”.