“Një vend ku t’i kapin armët”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka qenë i ftuar në një intervistë në televizionin Tëvë1, ku ka folur për zhvillimet rreth Gjykatës Speciale në Hagë dhe mundësinë e një vendimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Lushtaku ka thënë se nuk mund të flasë në emër të Gjykatës Speciale, por ka shprehur shqetësimin e tij për deklaratat që po qarkullojnë lidhur me një vendim të mundshëm.

“Sigurisht nuk mund të flas në emër të Gjykatës Speciale, sepse gjykata i ka vendimet e veta dhe mendimet e veta. Më vjen keq që po dëgjoj një deklaratë të tillë, të bërë brenda dy-tri orëve”, ka deklaruar ai.

 

Deputeti i PDK-së ka theksuar se, në rast të një vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, do të ndiqen të gjitha rrugët juridike përmes ankesave dhe procedurave përkatëse.

“Sigurisht se në aspektin juridik gjithmonë do të apelojmë, si shtet dhe avokatët e bëjnë këtë punë”, është shprehur Lushtaku.

Megjithatë, ai ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se, sipas tij, nuk e ka shqetësimin e duhur për këtë çështje.

“Por shteti i Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit, për mendimin tim, nuk e ka këtë merak, nuk e ka këtë dert, edhe pse ai qet lot krokodilli”, ka deklaruar deputeti.

“Një vend ku t’i kapin armët”

Në vazhdim të intervistës, Lushtaku ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se, në rast të një vendimi të pafavorshëm në Hagë, Kuvendi i Kosovës është dashur të shqyrtojë mundësinë që qytetarët të pajisen me leje për armatim.

“Parlamenti i Kosovës është dashtë me bë lejimin, ky është mendim personal i imi, ndoshta po e them edhe për shkak të emocioneve, ish dashtë me u leju çdo qytetar që të ketë leje për armatim, sepse me të vërtetë atëherë Kosova ka me qenë rrezik”, ka thënë Lushtaku.

Ai ka shtuar se, sipas tij, vetëm Policia e Kosovës dhe Ushtria e Kosovës mund të mos jenë të mjaftueshme për t’u përballur me rreziqe të mundshme nga Serbia.

“Vetëm Ushtria e Kosovës dhe Policia e Kosovës, që janë djemtë dhe vajzat më të mirë të këtij vendi, nuk munden ndoshta vetëm me iu përballë rrezikut që mundet me i pas prej Serbisë”, ka deklaruar ai.

Lushtaku ka kërkuar falje për emocionet gjatë kësaj pjese të intervistës, duke thënë se e ka të vështirë të mendojë për mundësinë që ish-krerët e UÇK-së të dënohen në Hagë.

“Po flas sinqerisht me emocion, kërkoj falje nëse e thashë këtë gjë. Është emocionuese veç me mendu nëse ata dënohen në Hagë”, është shprehur ai.

“Kosova është shtëpia ime”

Deputeti i PDK-së ka folur edhe për lidhjen e tij me Kosovën, duke thënë se, pavarësisht viteve që ka jetuar në diasporë, ai ka zgjedhur të jetojë dhe të rrisë fëmijët e tij në Kosovë.

“Prandaj ne kemi vendosur të jetojmë në Kosovë, fëmijët tanë i kemi rritur në Kosovë. Vetë kam jetuar në diasporë, në Gjermani, pesë vite. Kemi vendosur me i djegë letrat që na kanë dhënë atje”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai ka thënë se Gjermania për të është një shtëpi e dytë, por se nuk ka menduar asnjëherë të largohet nga Kosova.

“Për mua është shtëpi e dytë Gjermania dhe kurrë nuk kam menduar të iki nga Kosova dhe as nuk do iki ndonjëherë”, ka përfunduar ai.

Në fund, Lushtaku ka bërë një deklaratë të rëndë lidhur me gjyqtarët e Hagës, duke thënë se, në rast të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, ata do të ishin të ndikuar nga Rusia dhe Serbia.

“Dhe nëse ata dënohen, ata gjyqtarë janë të paguar prej Rusisë dhe Serbisë”, ka deklaruar Lushtaku.