Në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale kete gje e kërkon Lista Serbe

Lista Serbe ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që të ndërmarrin masat e nevojshme për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, në ditën kur pritet shpallja e aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët janë gjykuar në Gjykatën Speciale në Hagë.Po ashtu, kjo parti e konsideron të nevojshme shtimin e pranisë së misioneve ndërkombëtare të sigurisë në zonat e banuara nga komunitete të ndryshme.

 

“Veçanërisht në zonat serbe në jug të Ibrit, në mënyrë që të veprohet në mënyrë parandaluese dhe të parandalohet çdo përpjekje për rrezikimin e sigurisë së qytetarëve, shkaktimin e incidenteve apo cenimin e rendit dhe qetësisë publike”- thuhet në reagimin e kësaj partie.Lista Serbe u ka bërë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të kërkojnë nga Policia e Kosovës t’i kryejë detyrat e saj në mënyrë profesionale, të përgjegjshme, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.Gjithashtu, nga Policia kërkon që të respektojë plotësisht të drejtat dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Përmes kësaj komunikate, Lista Serbe u ka bërë thirrje popullsisë serbe dhe të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë të qetë, të përmbajtur dhe të matur dhe, siç thotë ajo, të mos bien pre e provokimeve të mundshme.“Në veçanti, theksojmë nevojën për veprim të shtuar parandalues para shpalljes së aktgjykimit, e cila është paralajmëruar për 16 shtator, në mënyrë që të parandalohen tensionet, provokimet apo incidentet e mundshme që mund të rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në terren”- theksohet në njoftim.Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me masat policore që pritet të ndërmerren për ofrimin e sigurisë lidhur me zhvillimet e parapara për datën 16.09.2026, datë në të cilën pritet të shpallet vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Forcat e rendit kanë theksuar se do të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohen me njësi policore në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojë e qetë dhe pa incidente.KALLXO.com raportoi se Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut kishte kthyer prapa rreth 15 vetura, të cilat, me simbole shtetërore e kombëtare, tentonin të lëviznin në këtë pjesë të qytetit.Ky plan operativ u zhvillua të shtunën, më 12.09.2026, në ditën kur u mbajt “Marshi për Liri” në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së.Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, i cili tha se “kjo u bë në mënyrë që të shmangen situatat që mund të nxisin provokime”.

Të njëjtin plan operativ Policia e kishte zhvilluar më 28.11.2025, në përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.Marshi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së u mbajt më 12.09.2026, nga ora 14:00, në sheshet e Prishtinës.Ky marsh u mbajt katër ditë para vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.