Historiani shqiptar “TËRBON” mediat serbe: Serbia është “krijuar” nga shqiptarët

Historia duket se do të jetë beteja e re mes Kosovës dhe Beogradit. Shkrimtari dhe publicisti, Jusuf Buxhovi, sjell për herë të parë një libër mbi historinë e Kosovës. Libri ka ngjallur reagime në qarqet akademike serbe

Madje, edhe kur Serbia është pranuar si shtet në kongresin e Berlinit më 1878, sipas burimeve osmane dhe austro-hungareze, rreth gjysma e asaj popullate nuk ishte serbe. Shumicën e përbënin shqiptarët dhe vllahët, siç nuk kishte shumicë greke, por arvanite, edhe Greqia kur u pranua si shtet më 1831.

 

“Vepra ime edhe pse quhet Kosova, paraqet historinë e Shqipërisë së natyrshme nga antikiteti (mileniumi i pestë) e tutje”, kështu shprehet shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, në një intervistë për gazetën “Shqip” mbi librin e tij “Historia e Kosovës” i cili ka hapur debate të forta mes historianëve në Serbi e Kosovë. A janë gati Kosova dhe Serbia të kenë një histori të çliruar nga nacionalizmat? Pse serbët mohojnë dy gjenocide që kanë bërë në Kosovë?

Libri i Buxhovit është në tri vëllime: Antikiteti, Mesjeta dhe Perandoria Osmane. Ai del në përfundimin se Dardanët janë themelues të Trojës dhe bartës të qytetërimit antik, i cili me pa të drejtë u është atribuuar grekëve, të cilët erdhën shumë vonë dhe përvetësuan gjithë qytetërimin pellazg, madje dhe shkrimin e tyre. Sipas tij, edhe “Iliada” dhe filozofia antike paraqesin trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve. Libri juaj “Historia e Kosovës”, nis nga antikiteti dhe Mesjeta për të vijuar me Perandorinë Osmane. Çfarë sipas jush i identifikon shqiptarët në këto periudha?
Fillimisht duhet sqaruar se “Kosova” është historiografi kritike. Është, pra, një projekt individual, që mbështetet mbi konceptin kohë-hapësirë me gamën e fokusimit që nis nga mileniumi i pestë e vjen deri në ditët tona. Në këtë kontekst etnogjeneza e shqiptarëve, si etni, shihet e ndërlidhur me Pellazgët, një si perandori me shumë mbretëri, ndër të cilat më të rëndësishme janë ajo dardane me Trojën, mbretëria maqedone, ajo epirote, si dhe mbretëritë ilire. Ky kundrim, nuk e dëmton teorinë e deritanishme ilire, pos që e plotëson në kuadrin e perandorisë pellazge, që ishte botërore dhe themel i qytetërimit antik. Nga trashëgimia pellazge lindën dhe u zhvilluan edhe dy perandoritë e mëdha: ajo e Romës (nga Dardanët, Galabrët dhe Etruskët) si dhe Bizanti (kryesisht nga dardano-ilirët).