Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një skenar të kalkuluar nga Vetëvendosje. Ky reagim i Ramadanit vjen pas komunikatës së VV-së që tha se kanë ndërruar qëndrim dhe nesër i votojnë nënkryetarët e subjekteve tjera.
“Krejt kjo është lojë e VV-së me shtetin!”, ka shkruar Ramadani.
Sipas tij, Kurtit dhe Vetëvendosjes u duhet që Kuvendi të mos jetë i konstituuar të paktën deri më 13 shtator, duke iu referuar afateve kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e presidentit.
“Kurtit e Vetëvendosjes i duhet që Kuvendi të mos jetë i konstituuar të paktën deri më 13 shtator, sepse është afat. Nga 13 shtatori duhen dy muaj për presidentin, 60 ditë, që i bie 13 nëntori. Nga 13 nëntori mund të shpallen zgjedhjet dhe mbërrin afati më 27 dhjetor.”, ka deklaruar ai.
Ramadani thotë se ky skenar, sipas tij, është paralajmëruar nga Aleanca prej kohësh.
“Kështu ju kemi thënë tash e sa kohë. Ua kemi lexuar skenarin në xhep.”, ka shkruar ai.
Në fund, deputeti i Aleancës ka paralajmëruar Vetëvendosjen se, sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve nuk do të jenë ato që po i kalkulojnë.
“Por, MOS HARRONI: VV do të dëshpërohet keq nga zgjedhjet që i kanë kalkuluar vet!”, ka përfunduar Ramadani.