“Ura e Ibrit është e Kosovës, more trullana!”/ Mekuli ‘godet’ opozitën: Pse heshtni?

Publicisti Gëzim Mekuli ka reaguar lidhur me kalimin e përgjegjësisë për Urën e Ibrit te Policia e Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një ngjarje me rëndësi të veçantë simbolike dhe shtetërore.

 

Mekuli në postimin e tij në Facebook kritikoi opozitën dhe mediat për mënyrën se si, sipas tij, e kanë trajtuar këtë zhvillim, duke argumentuar se forcimi i institucioneve të Kosovës duhet të vlerësohet pavarësisht përkatësive politike, përcjell “Bota sot”.

Në reagimin e tij, Mekuli thekson se ky zhvillim nuk duhet të shihet si sukses i një partie apo i kryeministrit Albin Kurti, por si një hap në forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Shkrimi i plotë

 

Mos e merrni n’gryk, Albinin!

Ura e Ibrit, më në fund, po kalon në përgjegjësi të Policisë së Kosovës; pas plot 27 vitesh. Çfarë lajmi fantastik; një lajm që, për nga rëndësia simbolike dhe shtetërore, do të duhej të ishte në qendër të vëmendjes së medias shqipe, pra do të duhej të ishte Kryelajm në krejt botën shqiptare.

Por çfarë shohin e lexojnë shqiptarët?

Lajm i vockël për “tërheqjen graduale të KFOR-it nga ura”, e pak, shumë pak lajmi për përgjegjësinë që Policia e Kosovës do ta merr për këtë urë të Kosovës..

Heshtje! Çele gurë gojën!

Sidomos nga opozita, Lista srbska dhe nga mediat e tyre që, 24/7 nuk lënë asnjë rast pa e shfrytëzuar për të goditur Qeverinë e Kosovës.

Pse ky mentalitet antishtet, të dashur lexues?

A është bërë lufta kundër Kryeministrit Kurti aq e zjarrtë, saqë edhe kur ndodh diçka e mirë për Kosovën zgjedhet heshtja, censura, pra deformimi i lajmit dhe, natyrisht edhe dezinformi i popullit.

Të dashur lexues,

Dhe po, e them hapur: kur opozita, analistët dhe media e tyre heshtin lajmin për suksesin e policisë së Kosovës dhe forcimin e institucioneve të Kosovës, ndërsa kjo heshtje e tyre është e afërt me pikëpamjet e “botës serbe” dhe “Listën Srpska”, atëherë lind një pyetje e rëndë:

Kush dreqi po i shërben kujt?

Konsekuent deri në fund: Nuk është e nevojshme t’a merrni n’gryk Albinin e as të duartrokitet “Albin Serbia”; Por duhet duartrokitur Kosova kur Kosova forcohet, apo jo të nderuar?

Ura e Ibrit nuk është e “Albin Serbisë”; Nuk është e PDK-së; LDK-së, AAK-së apo, ruajna Zot e VV-së.

Është e Kosovës, more trullana!