Babai shkoi te banesa e djalit në Prishtinë – theu derën dhe kanosi familjen

Një konflikt familjar në Prishtinë është shndërruar në rast penal, pasi një burrë dyshohet se ka shkuar me një sopatë te banesa e djalit të tij, ku ka dëmtuar derën e hyrjes dhe ka shkaktuar frikë te anëtarët e familjes, përfshirë edhe fëmijët që ndodheshin brenda.

 

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është B.J., rreth 55 vjeç, ndërsa viktimë është djali i tij, P.J., rreth 32 vjeç.

Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 14 korrikut, rreth orës 00:30, në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë.

 

Viktima ka deklaruar para hetuesve se babai i tij, me të cilin nuk jeton prej një kohe të gjatë, kishte shkuar te banesa dhe kishte tentuar të hynte me forcë në objekt.

Gjatë hetimeve, Policia ka siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat, sipas burimeve, e shfaqin të dyshuarin duke tentuar të hyjë në banesë dhe duke goditur derën e hyrjes me një sopatë. Si pasojë e goditjeve është thyer xhami i derës dhe janë shkaktuar dëme materiale.

Nëna e viktimës është intervistuar në cilësinë e dëshmitares dhe ka deklaruar se para se të dëmtonte derën, i dyshuari kishte kërkuar që djali i tij të dilte jashtë. Sipas deklarimit të saj, sjellja e tij ka shkaktuar panik dhe shqetësim te familjarët, veçanërisht te fëmijët që ndodheshin në banesë në momentin e incidentit.

Pas grumbullimit të provave materiale, deklaratave të palëve dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë konsultuar rastin me Prokurorin e Shtetit.

Më 1 gusht, rasti është rikualifikuar dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprat “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Kanosje”.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore në përputhje me rezultatet e hetimit.

Shënim: Personi i përmendur në këtë rast konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij eventuale të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.