Vjosa Osmani:Serbia ende fle mbi varreza masive!

Shkruan: Vjosa Osmani

Serbia ende fle mbi varreza masive!
Serbia ende përsërit krimet, duke fshehur në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkaq, mijëra familje në Kosovë ende jetojnë me dhimbjen e papërshkrueshme të plagëve që nuk janë mbyllur kurrë. 23 intelektualë nga Mitrovica u rrëmbyen dhunshëm nga forcat serbe në prill të vitit 1999, duke i lënë familjet e tyre, Mitrovicën dhe gjithë Kosovën në ankth të përditshëm për 27 vjet. Kontributi i tyre në arsim, shëndetësi e në veprimtari atdhetare do të mbesë gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Mitrovicës. Zbulimi i varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se gjenden eshtrat e tyre, ndonëse është një lehtësim për familjet, është njëkohësisht një rikujtim i dhimbshëm se ndajmë një kufi prej afro qindra kilometrash me një fqinj që ende nuk ka hequr dorë nga synimet e tij për të na zhdukur. Përballë një rreziku të tillë, përballë dhimbjes së vazhdueshme të familjeve të Kosovës që ende kërkojnë vendndodhjen e më të dashurve të tyre dhe përballë një armiku që ende fle mbi varrezat masive të fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, asnjë dallim mes nesh nuk duhet të ketë rëndësi. Asnjë!