Nuk po shihet fundi i kolonave kilometërshe në jug të Kroacisë. Në pikat kufitare me Malin e Zi pritjet kanë kaluar mbi 10 orë, ndërsa e gjithë zona e Konavles është bllokuar. Sipas mediave kroate, ekziston rreziku që e gjithë riviera e Dubrovnikut të përballet me kolaps në trafik.
Për shkak të situatës, kryetari i Komunës së Konavles, Božo Lasić, ka kontaktuar të gjitha institucionet përgjegjëse dhe ka aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile, por gjendja vazhdon të mbetet e rënduar, transmeton Indeksonline.
Një taksist nga Konavle përshkroi situatën si alarmante.
“Udhëtarët janë të dëshpëruar dhe nuk pushojnë së rëni borive. E gjithë zona e Konavle jehon nga zhurma e sirenave të automjeteve. Jashtë është temperatura 35 gradë, ndërsa brenda veturave temperatura arrin shpejt në 50 gradë. Njerëzit janë të uritur dhe të etur. Kam frikë se Konavle mund të shndërrohet në një ‘Ceuta’ të re. Megjithatë, ekzistonin alternativa”, tha ai.
Sipas tij, shumë mërgimtarë kanë zgjedhur këtë itinerar sepse është më ekonomik.
“Mund të udhëtonin përmes Serbisë. Autostrada shkon pothuajse deri në Kosovë dhe Shqipëri. Nga Zagrebi deri në Prishtinë duhen rreth nëntë orë, plus pritja në kufi. Por shumica preferojnë të kalojnë nga Karamatići drejt Karasoviqit ose Vitaljinës e më pas përmes Malit të Zi, sepse kjo rrugë është falas.”
Ka edhe alternativa të tjera
Një mundësi tjetër është kalimi përmes Hercegovinës, nga pika kufitare Gornji Brgat drejt Trebinjës dhe Nikshiqit. Megjithatë, edhe aty pritjet mund të zgjasin nga një deri në disa orë.
Alternativë është edhe pika kufitare Nova Sela pranë Metkoviqit, me itinerarin përmes Çapljinës, Domanoviqit, Stollacit, Bileqës dhe Nikshiqit. Megjithatë, rruga mes Stollacit dhe Bileqës konsiderohet e vështirë për automjetet, ndërsa edhe në pikën kufitare Vraćenovići me Malin e Zi shpesh krijohen pritje shumëorëshe.
“Kjo situatë rrezikon shëndetin dhe sigurinë e njerëzve”
Ish-drejtori i Aeroportit të Dubrovnikut, Tonçi Peović, kritikoi autoritetet kroate për mungesën e përgatitjeve infrastrukturore.
Ai kujtoi se që para tetë vitesh kishte ngritur shqetësimin se Kroacia nuk kishte krijuar kushte të mjaftueshme për kalim të sigurt të kufirit në kuadër të sistemit Entry/Exit (EES).
“Edhe sot, si çdo verë, po shohim se ato kushte nuk janë plotësuar. Shumica e udhëtarëve që dalin nga zona Schengen në Karasoviq janë qytetarë të Bashkimit Evropian, por kjo nuk u hyn në punë kur presin me orë të tëra në kolonë vetëm për ta dëshmuar këtë,” tha ai.
Peović vlerësoi se situata përbën rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e udhëtarëve, si dhe dëmton turizmin dhe ekonominë e Kroacisë dhe Malit të Zi. Sipas tij, që nga viti 2018, kur dihej se do të zbatohej sistemi EES, duhej të ishte ndërtuar të paktën edhe një korsi shtesë drejt kufirit, me ndarje të veçantë për qytetarët e BE-së dhe ata jashtë saj, si dhe zona pushimi me ujë të pijshëm, tualete dhe shërbime bazë për udhëtarët.