Halil Geci- Arben Gashit: Po të flas me gjuhën e Drenicës se nuk merrni vesh ju LDK’ucat

Nga Halil Geci

NJË REAGIM NDAJ ARBEN GASHIT: KËSAJ HERE PO JU FLAS NË GJUHËN E DRENICËS, SE NUK PO MERRNI VESH JU LDK-UCAT

 

Arben Gashit i them: Nuk mund të shitesh si shpëtimtar, kur edhe ti ke qenë pjesë e rrënimit të LDK-së.

Kësaj here po ju flas në gjuhën e Drenicës, se me sa duket fjalët e zakonshme nuk po ju bëjnë punë. Ndoshta kështu e kuptoni më mirë mesazhin që ua kan dhënë qytetarët me votën e tyre.

Fjalët për demokraci dhe vlera nuk mjaftojnë kur qytetarët kujtojnë vendimet politike që,
e larguan LDK-në nga besimi i shumë votuesve.

Nuk mjaftojnë fjalët për demokraci, liri dhe vlera, kur qytetarët kujtojnë vendimet dhe qëndrimet politike që, e kanë dobësuar LDK-në ndër vite.

Shkrimi i Arben Gashit më kujtoi një ngjarje të vjetër nga fshatrat e Drenicës. Dikur njerëzit i ruanin arat e kallamoqit nga thitë e egër, që ua shkatërronin të mbjellat. Dy kojshi rrinin zgjuar gjithë natën, duke rrahur teneqet me shkopinj për t’i trembur thitë.

Në një moment, kojshiu i tha plakut:
“Shko flej ti, se unë po ta ruaj edhe arën tande. Mos të rrimë të dy pa gjumë.”

Plaku iu përgjigj:

“Dëgjo, bre djalë, prej thive nuk kam aq frikë sa kam prej teje. Se po ta lë ty arën në dorë, nesër nuk do të më mungojë vetëm kallamoqi, por edhe pasuli. Thitë hanë sa ngopen e largohen, por disa njerëz ta zbrazin krejt arën e pastaj të thonë se po ta ruajnë.”

Kjo histori më kujton disa politikanë që sot flasin për vlera, demokraci dhe shpëtimin e LDK-së. Qytetarët nuk kanë frikë vetëm nga kundërshtarët e hapur, por edhe nga ata që për vite e kanë shkatrruar këte parti për interesa grupore e përsonale e sot përpiqen të paraqiten si shpëtimtarë.

Arben Gashi flet me plot gojën për LDK-në, lirinë dhe demokracinë. Por të vërtetës nuk mund t’i ikë. Votuesit rugovistë nuk i kanë harruar koalicionet me PDK-në, kur gjatë fushatave politike akuzat ishin të ashpra, ndërsa pas zgjedhjeve pasonin koalicionet dhe bashkëqeverisja. Sipas kritikëve, pikërisht këto vendime politike e dëmtuan rëndë LDK-në dhe bënë ate pateric apo degë të PDK-s e si pasoj e kësaj ajo humbi një pjesë të madhe të mbështetjes qytetare.

Po ashtu, nuk mund të kërkosh të quhesh mbrojtës i shtëpisë pasi ke qenë pjesë e rrënimit të saj. Nuk mund të paraqitesh si shpëtimtar kur, pasi nuk e more atë që kërkoje brenda partisë, e shkatërrove partinë dhe u largove prej saj. Sot rikthehesh duke u paraqitur sërish si shpëtimtar, ashtu siç ndodhi me Rrushen.

Këto janë gabimet për të cilat qytetarët, sipas shumë vlerësimeve politike, e kanë ndëshkuar LDK-në me votë. Prandaj, para se të mbani ligjërata për parime, demokraci e besnikëri ndaj LDK-së, duhet të bëni edhe njëherë llogarinë me veprimet tuaja politike.

LDK-ja ka një histori të rëndësishme në shtetndërtimin e Kosovës dhe kjo histori meriton respekt. Por historia nuk mbrohet nga njerëzit që e kanë shkatërruar e sot flasin fjalë të bukura. Ajo mbrohet me përgjegjësi, reflektim dhe me gatishmëri për t’u përballur me gabimet.

Kosova nuk ka nevojë për politikanë që dalin ta ruajnë kallamoqin pasi dëmi është bërë. Ka nevojë për njerëz që nuk i lejojnë kurrë derrat t’i afrohen arës.