Krejt Policia e Kosovës në këmbë! Bastisen 40 lokacione

Një aksion i gjerë i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur në orët e para të mëngjesit të së martës, duke përfshirë bastisje në më shumë se 40 lokacione në disa komuna të vendit.

 

Sipas burimeve të IndeksOnline, operacioni po realizohet në bashkëpunim mes Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Njësisë së Hetimeve Tatimore të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Njësisë së Hetimeve të Doganës së Kosovës.

 

Burimet bëjnë të ditur se aksioni është rezultat i një hetimi disamujor që lidhet me dyshime për pastrim parash, shmangie të pagesës së tatimeve dhe detyrimeve doganore, si dhe transaksione të dyshuara fiktive në sektorin e derivateve të naftës.

Sipas të njëjtave burime, autoritetet po hetojnë një skemë të dyshuar, në të cilën kompani importuese nga Shqipëria dyshohet se kanë deklaruar importe të derivateve të naftës, ndërsa në disa raste ngarkesat e importuara dyshohet se kanë përmbajtur ujë. Gjithashtu, dyshohet se në këtë skemë janë përdorur kompani fiktive dhe biznese aktive në Kosovë për të realizuar transaksionet dhe për të fshehur gjurmët financiare.

Burimet shtojnë se hetimet e Administratës Tatimore të Kosovës përfshijnë edhe dyshime se disa biznese mund të kenë lëshuar fatura të dyshuara fiktive për importe të pretenduara të derivateve, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e kundërligjshëm financiar.

Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë publikuar një komunikatë zyrtare me detaje mbi numrin e personave të përfshirë, masat e ndërmarra apo identitetin e kompanive që janë objekt i hetimit.

Është e rëndësishme të theksohet se bëhet fjalë për dyshime që janë pjesë e një hetimi në zhvillim, ndërsa përgjegjësitë eventuale penale mund të përcaktohen vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore dhe vendimeve të institucioneve kompetente.

Aksioni po vazhdon edhe gjatë ditës, ndërsa pritet që Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera të përfshira të dalin me informacione shtesë pas përfundimit të operacionit.

Portali ynë do t’ju mbajë të informuar me zhvillimet më të fundit sapo të publikohen njoftime zyrtare do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE