“Boll se nuk duroj më …”, përplasje mes Kryemadhit dhe Metës në gjykatë

Momente tensioni janë shënuar gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar këtë të mërkurë në GJKKO, ku ish-Presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë përfshirë në një debat verbal përpara trupit gjykues.

 

Meta tha se nuk ka dijeni për veprimet e Kryemadhit, duke shtuar se ajo e di vetë historinë e mesazheve. Kryemadhi është kundërpërgjigjur duke i thënë se nuk duhet të flasë bazë thashethemesh e llafesh grash, apo fjalët që i sjell Dumani.

 

Gjykata ka paralajmëruar të pandehurën Kryemadhi se do të nxirret nga salla e gjyqit dhe do të gjobitet nëse përsërit veprimet e saj.

“Nuk ekziston asnjë lloj ndikimi për askënd. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi”, tha Meta.

 

Në këtë moment, Monika Kryemadhi i përgjigjet: “Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”

Pasi gjykata i tërheq vëmendje, Kryemadhi thotë: “Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?” (Duke iu referuar deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që ndodhet në sallë)